Dyshime për shitblerje të materialit gjenetik në klinikën “Behar Kusari”

E publikuar: 04/04/2019 09:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dyshimet për shitblerjen e materialit gjenetik dhe shfrytëzimin e “qelizave të huaja seksuale” të çiftëve për t’i bërë prindër të tjerë çifte, pa autorizim të personave nga të cilët janë marrë ato, kanë çuar në arrestimin e pesë personave në klinikën amerikane “Behar Kusari” në Prishtinë.

Përveç arrestimit, Policia e Kosovës në bashkëpunim me Inspektoratin Shëndetësor dhe Farmaceutik e ka mbyllur repartin ku kryhej frytnimi i asistuar (IVF).

Hetimi që ka zgjatur rreth tetë muaj nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore (DHTQNJ) në bashkëpunim me Departamentin e Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prishtinë ka rezultuar me dy ditë bastisje në klinikën “Behar Kusari”.

Pas bastisjes, siç është informuar Koha Ditore nga burime brenda organeve të hetuesisë, janë arrestuar dy nga menaxherët e spitalit, një mjek, i cili dyshohet se është marrë me procesin e nxjerrjes se “materialit trashëgues” nga qytetarët dhe dy infermiere.

Siç merr vesh Koha Ditore, urdhërarrest është lëshuar edhe për një mjek me shtetësi turke që është pjesë e manaxhmentit të Klinikës, porse Policia e Kosovës ende nuk ka arritur t’ia identifikojë vendndodhjen.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)