Dy ‘kërkesat’ për Kosovën që Presidenti i Shqipërisë ia bëri sot Kryeministrit të Spanjës

E publikuar: 01/08/2022 23:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në vizitën e tij zyrtare, e para e një kryeministri spanjoll në Shqipëri, Petro Sanchez theksoi rëndësinë që ka Ballkani Perëndimor (BP), në kontekstin e agresionit rus ndaj Ukrainës dhe të marrjes nga Spanja së Presidencës së BE në 6-mujorin e parë të 2023.

“Do të japim një shembull të qartë, të plotë për rëndësinë që ka Ballkani Perëndimor. Objektivat na bashkojnë dhe unë e përkrah dëshirën apo vullnetin europeist të këtyre vendeve. Nuk mund të kuptohet BE pa Ballkanin Perëndimor ,” tha ai në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin shqiptar, Edi Rama.

Kryeministri spanjoll Sanchez bëri publike argumentat pse Spanja mbështet idenë e Presidentt francez Emmanuel Macron për krijimin e „Komunitetit Politik Europian”

“Do të kemi mundësi të flasim për shumë tema në një nivel më të lartë politik dhe në formate më fleksibël midis kryetarëve të qeverive dhe vendeve që bëjnë pjesë në BE dhe atyre që duan të futen në BE. Qeveria e Spanjës e sheh me shumë interes këtë dinamikë pozitive që mund të gjenerohet, ” theksoi kryeministri spanjoll Pedro Sanchez.

Kryeministri Rama, që e ka qënë ndër të parët drejtues shtetesh në Ballkanin Perëndimor që ka përkrahur idenë e “Komunitetit Politik Europian,” theksoi pritshmëritë e Shqipërisë nga presidenca spanjolle e BE vitin e ardhshëm.

“Presim nga presidenca spanjolle dhe më tutje që të elaborohet më thellë dhe zgjerohet baza e këtij ndërveprimi mes Ballkanit Perëndimor dhe BE duke hapur rrugë për sinergji të reja, stimulim të mëtejshëm të paqes dhe bashkëpunimit në rajon. Të udhëhiqet një proces që ky Komunitet i ri Politik Europian të fillojë të marrë një formë konkrete, jo si zëvëndësues i procesit të integrimit, por si një hapësirë të re, ku ne jemi më të lidhur me njëri-tjetrin,” tha Rama në konferencën për shtyp.

Pse Spanja nuk njeh Kosovën si shtet të pavarur?

Mbretëria e Spanjës është një ndër pesë vendet anëtare të BE, krahas Rumanisë, Sllovakisë, Qipros dhë Greqisë, që nuk e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur.

“Mendojmë që është shkelur e drejta ndërkombëtare, ndaj nuk mund të jemi në favor të njohjes së shtetit të Kosovës. Qeveria spanjolle mendon që është një deklaratë e njëanshme për pavarësi,” tha kryemnistri spanjoll Pedro Sanchez në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama.

Kryeministri Rama e quajti qëndrimin e Spanjës lidhur me mosnjohjen e shtetit të pavarur të Kosovës, ”një qëndrim të ndryshëm, tradicionalisht të palëvizshëm për arsye që lidhen me vetë Spanjën dhe që nuk kanë të bëjnë me asnjë lloj diskriminimi apo paragjykimi ndaj bashkësisë së shqiptarëve në Kosovë dhe të drejtës së tyre.”

Tensionimi në veri të Mitrovicës në mbrëmjen e të dielës, (31.07), vendosja e barrikadave dhe të shtënat me armë nga ana e serbëve për shkak të zbatimit të marrëveshjes së reciprocitetit të dakortësuar me Serbinë për targa dhe dokumenta, shtyrja e zbatimit të vendimit në fjalë pas një muaji, më 1 shtator, ishin në fokus të bisedimeve të kryeministrit spanjoll Pedro Sanchez me autoritetet e Tiranës.

Kryeministri Rama e quajti situatën “një përshkallëzim krejtësisht të paarsyeshëm pasi qeveria e Kosovës ka të drejtën dhe detyrën të zbatojë marrëveshjet me Serbinë, duke ushtruar sovranitetin territorial, që buron nga një pavarësi në administrimin e shtetit”.

“U bëj thirrje autoriteteve në Beograd dhe Presidentit të Serbisë që të mos ushqejë më asnjë lloj justifikimi dhe asnjë lloj alibie, grupeve të caktuara në veriun e Kosovës, që për arsye të tyre i kundërvihen zbatimit të një marrëveshjeje, që jo vetëm duhet zbatuar, por është e vlefshme të zbatohet edhe për t’i dhënë më shumë besueshmëri dialogut mes Serbisë dhe Kosovës,” theksoi kryemnistri Rama, në konferencën e përbashkët për shtyp më homologin spanjoll Sanchez, i cili nga ana e tij vuri në dukje që ”mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga Spanja nuk do të thotë që ne nuk e nxisim dialogun me Prishtinën për t’u afruar me BE.”

Presidenti Begaj: Kosova e pavarur realitet i pakthyeshëm politik

Presidenti Bajram Begaj, një javë pas marrjes së detyrës së kreut të shtetit, në takimin me kryeministrin spanjoll theksoi se “Kosova tashmë është një realitet i pakthyeshëm politik, kontribues për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe i konfirmuar jo vetëm nga mbi gjysma e vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara që e kanë njohur atë, por edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, 11 vjet më parë.”

Presidenti Begaj citohet të ketë shprehur “besimin se qeveria spanjolle do të gjejë modalitetet e duhura politike e diplomatike për ta mundësuar praninë e Kosovës në organizatat e ndryshme evropiane dhe ndërkombëtare dhe miratimin nga BE të lëvizjen pa viza të qytetarëve të saj në hapësirën e BE.

Gjatë qëndrimit në Tiranë të kryeministrit spanjoll Pedro Sanchez, ministri shqiptar i Punëve të Brendshme, Bledi Çuci dhe homologu i tij spanjoll, Fernando Grande-Marlaska, nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar.

Vizita e kryeministrit spanjoll Pedro Sanchez në Tranë është e para e një kryetari qeverie të një vendi anëtar të BE, pas hapjes muajin e kaluar, më 19 korrik, të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ajo u krye në kuadër të një turi ballkanik, në kryeqytetet e 5 vendeve ballkanike. Prishtina nuk ishte e përfshirë në këtë tur vizitash./DW