Dy ditët vendimtare për vizat, a do të festojë Kosova apo do të zhgënjehet edhe një herë

E publikuar: 22/06/2022 20:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kosova pret nesër njërin prej lajmeve më të mëdha në vitet e fundit, shkruan Gazeta Express. Pasi për disa vite me radhë mori përkrahje nga Parlamenti Evropian dhe Komisioni Evropian, Kosova pret që më datat 23 apo 24 qershor të marr lajmin e mirë edhe nga Këshilli i BE-së për liberalizim të vizave për qytetarët e saj.

Për të kuptuar magnitudën e këtij lajmi, duhet të bëhet e ditur se Kosova është ndër vendet e fundit në kontinent, qytetarët e së cilës, nuk kanë të drejtë të lëvizin pa viza nëpër vendet e BE-së. Thuajse të gjitha shtetet në Evropë, madje edhe ato në margjina të kontinentit sikur Moldavia, Ukraina dhe Gjeorgjia kanë të drejtë të lëvizin pa viza nëpër Zonën Shengen. Kësaj liste i shtohen edhe disa shtete nga kontinente tjera sikur Paraguaji, Venezuela, Panamaja, Tuvalu e të tjera.

Shikoni listën e mëposhtme të shteteve që kanë qasje në lëvizje të lirë në Zonën Shengen:

LISTA E SHTETEVE TË TRETA QYTETARËT E TË CILAVE PËRJASHTOHEN NGA KËRKESA QË TË JENË NË POSEDIM TË VIZËS KUR KALOJNË KUFIJT E JASHTËM TË SHTETEVE ANËTARË PËR QËNDRIM JO MË SHUMË SE 90 DITË-JË TË GJITHA DITË
Çfarë do të thotë liberalizimi i vizave?

Liberalizimi i vizave do të thotë lëvizje e lirë në zonën Shengen. Liberalizimi i vizave mundëson udhëtimin pa viza vetëm deri në 90 ditë (çdo gjashtë muaj). Liberalizimi i vizave lejon vetëm udhëtime falas dhe jo leje pune apo përfitime të tjera.

Shtetet në të cilat mund të udhëtoni pa viza janë vendet e Bashkimit Evropian. Qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtonin pa viza edhe në Islandë, Norvegji dhe Zvicër dhe Lihtenshtajn, edhe pse këto shtete nuk janë në zonën Shengen.

Pse tani ka shpresë më të madhe?

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Presidentja Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Bruksel, me ftesë të presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel. Ajo do ta përfaqësojë Kosovën në takimin e krerëve të Bashkimit Evropian me liderët e Ballkanit Perëndimor, raporton Gazeta Express. Në njoftimin e Presidencës bëhet e ditur se Osmani do të jetë proaktive që të kërkojë liberalizim të vizave tek vendet anëtare të BE-së dhe hapjen e rrugës për integrim për të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola në Bruksel.
Gjatë muajve të fundit, çështja e heqjes së vizave është përmendur nga liderë të shteteve anëtare. Kancelari gjerman Olaf Scholz, që është kancelar nga SPD (Partia Social Demokrate e Gjermanisë) ka lidhur koalicion me të Gjelbërit për krijimin e qeverisë në Gjermani. Në programin e përbashkët që kishte 177 faqe, për herë ta parë, Ballkani Perëndimor zinte një vend të veçantë ku ndër të tjera thuhej se prioritet është dialogu Kosovë-Serbi dhe liberalizimi i vizave për Kosovën.

Në vizitën që kishte bërë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 4 maj në Gjermani kjo temë ishte përmendur përsëri. Kancelari në konferencën për media në Berlin bashkë me kryeministrin Albin Kurti tha se personalisht angazhohet me këmbëngulje brenda BE-së që Kosovës t’i hiqen vizat raporton Gazeta Express.

Ndërkohë ambasadori gjerman në Kosovë, Joern Rohde, para disa ditëve tha se ai do të jetë ambasadori i fundit gjerman që do të pyetet për liberalizimin e vizave, duke aluduar se ajo pritet të ndodhë shumë shpejt.

Presidenti slloven, Borut Pahor, ka njoftuar për një letër që ia ka dorëzuar Presidentit të Këshillit Europian Charles Michel, ku i kërkon BE-së që të merr vendime për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, duke kërkuar që të merret vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën këtë muaj.

Në letër, Presidenti slloven, përmend rrezikun që Ballkani Perëndimor të largohet nga rruga europiane, nëse vazhdon procesi shumë i ngadaltë i integrimit të këtyre shteteve nga ana e BE-së.

Çfarë pritet të ndodhë gjatë dy ditëve të ardhshme?

Radio Evropa e Lirë shkruan se disa diplomatë të vendeve të Bashkimit Evropian vazhdojnë të thonë se vendet e tyre po bëjnë përpjekje që nga Samiti i BE-së, që do të zhvillohet më 23 dhe 24 qershor në Bruksel, të shprehet mbështetje e qartë politike për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Kjo do të shërbente pastaj si një pikënisje për procedurën, e cila do të iniciohet në grupet punuese të Këshillit, ku edhe do të merreshin vendimet.

Tash, pasi çështja është ngritur në nivelin më të lartë politik dhe liberalizimin e vizave e kanë mbështetur disa liderë të vendeve anëtare edhe publikisht, janë rritur gjasat që të nisë procedura.

Flamuri i Kosovës dhe i BE-së në Prishtinë

Liberalizimi i vizave për Kosovën nuk ka qenë i paraparë që të jetë formalisht në agjendë, por është përmendur mundësia që të shprehet mbështetje politike.

Një zyrtar i lartë i BE-së, i cili foli me gazetarët për përgatitjen e samitit, tha se “nuk përjashtohet mundësia që dikush nga liderët ta ngrisë këtë çështje në takimin e Këshillit Evropian”, por shtoi se “nuk ka indikacione të qarta sipas së cilave do të mund të thuhet se heqja e regjimit të vizave do të ndodhë”.

Në pyetjen se a kanë hequr dorë nga kundërshtimi i tyre vendet si Franca dhe Holanda, ai tha se “për këtë duhet pyetur Francën dhe Holandën”.

Burimet diplomatike vazhdojnë të thonë se, pa marrë parasysh se a do të përmendet apo jo formalisht në ndonjë deklaratë nga BE-ja, çështja e liberalizimit nuk përjashtohet që të zhbllokohet dhe të nisë procesi në grupet përkatëse punuese të BE-së.

Por, kjo është një procedurë që zgjat dhe nuk mund të paragjykohet afati kohor se kur do të mund të ndodhë.