Duka uron De Biasin për punën e re: Do të kesh gjithmonë vend në historinë tonë

E publikuar: 11/07/2020 23:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka reaguar me një postim në faqen e tij në Facebook pas lajmit zyrtar se Gianni De Biasi ka marrë drejtimin e Azerbajxhanit.

Kreu i qeverisë së futbollit tonë i uron suksese ish-trajnerit kuqezi, i cili ka vendin e tij në suksesin historik të Shqipërisë me pjesëmarrjën në Euro 2016./Express/

Postimi i Dukës

U gëzova shumë kur mësova lajmin se Gianni De Biasi do të nisë një aventurë të re në stolin e kombëtares së Azerbajxhanit. Dua t’i uroj sukseset më të mira ish-trajnerit të Kombëtares shqiptare, më të cilin kemi përjetuar emocione te jashtëzakonshme dhe kemi arritur edhe suksesin më të madh të Kombëtares në kompeticionet ndërkombëtare.

Ndihem mirë që De Biazi ka qenë një pjesë e rëndësishme e atij rrugëtimi historik, që kulmoi me pjesëmarrjen e Kombëtares kuqezi në finalet e EURO 2016. Edhe pse kanë kaluar 3 vjet nga ndarja e rrugëve tona, dua ta siguroj se ai do të ketë gjithmonë një vend të veçantë në historinë e FSHF-së dhe përfaqësueses shqiptare.