Driton Latifi kritikon mediat spanjolle: Si mund të shkruhet se Spanja luan kundër askujt

E publikuar: 31/03/2021 19:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gazetari sportiv, Driton Latifi, ka thënë se ka pasë raportime të mjaftueshme nga mediat kosovare lidhur me udhëtimin e Kombëtares së Kosovës në Spanjë me të cilën do të përballet sonte në kuadër të kualifikimeve për Kampionat Botëror.

“Unë besoj se edhe mundësitë e fundit teknologjike dhe të gjitha opsionet që janë krijuar viteve të fundit kanë krijuar hapësirë të mjaftueshme për televizionet dhe portalet që të jenë sa me mobilë në lidhje me raportimin sa më të mirë nga vendi i ngjarjes. Kemi një grup të gazetarëve që kanë udhëtuar me ekipin dhe një grup tjetër edhe me udhëtime vetanake. Jam i sigurt se në opinionin tonë kanë qarkulluar informata të mjaftueshme rreth asaj se çka po ndodh me Kombëtaren e Kosovës në Sevilla të Spanjës, përveç se edhe disa raste që kanë qenë vërtet të tepruara me raportime – si me hotelin që ishte raportim i ekzagjeruar, sepse hoteli nuk është i kushedi çfarë cilësie”.

Latifi, në një lidhje direkte për Klan Kosovën, ka kritikuar qasjen e mediave spanjolle se si kanë raportuar për lojën kundër Kosovës emrin e të cilës shpesh edhe nuk e kanë përmendur.

“Kam pasë raste që në këto dy ditë të jap disa intervista dhe të jem në kontakt me kolegët spanjollë. Është vërtet për t’u befasuar qasja e tyre dhe ua kam thënë haptas se një qasje tjetër duhet të jetë politika zyrtare dhe mediat e pavarura duhet të raportojnë në mënyrën më të mirë. Ajo çka më ka befasuar më së shumti, dhe që e kam hapur edhe në forumet ndërkombëtare të gazetarëve, ka qenë se si është e mundur që një medium sportiv aq shumë i njohur si AS që të mos e raportojë fare as emrin. Si mund të shkruhet se Spanja luan kundër askujt? Spanja po luan kundër ekipit kombëtar të Kosovës që është i pranuar me të drejta të plota në UEFA dhe FIFA”.

“Këto janë edhe një dëshmi përveç asaj se sa kundërshtarë ka Kosova, por ua kam thënë edhe atyre se është vërtet rënie prej provimit elementar të gazetarisë që të mos raportohet në mënyrën më të mirë dhe më të saktë se çka po ndodh këtu apo me kë do të luajë kombëtarja e tyre. Kosova është një shtet i pranuar me të drejta të barabarta në UEFA dhe FIFA dhe kjo qasja e tyre shpresoj që mos të vazhdojë në të ardhmen”.