Dreshaj: Urgjent shëndetësia të kthehet në prioritet qeverisës, mjaft më eksperimente

E publikuar: 14/03/2023 12:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, ka mbajtur konferencë për media, ku numëroi dështimet e qeverisë Kurti në sistemin e shëndetësisë.

Dreshaj e ka quajtur Ministrinë e Shëndetësisë, ministri të eksperimenteve, ku si pasojë e kësaj gjendje kemi largim të profesionistëve dhe shumë dështime të tjera.

“Sot, shteti jonë po përballet me Qeverisje ad-hoc me veprime post-festum, pa strategji, pa prioritete dhe pa ofrim të perspektivës për vendin. Asnjë dikaster qeverisës për dy vite të Qeverisjes Kurti nuk mund të merret si mostër e suksesit. Ne sot, e kemi analizën dhe fokusin në sektorin vital të Shëndetësisë”, ka thënë ai.

Dreshaj dha disa argumente për gjendjen siç e quajti të rëndë në shëndetësi.

“Ministria e Shëndetësisë në Qeverisjen Kurti ka qenë Ministri e Eksperimenteve, ku për disa herë radhazi u ndërruan Ministrat, u ndërruan shefat e reparteve e madje kishte raste ku këto pozita mbetën boshë për muaj të tërë pa udhëheqës, duke bërë që të pësojnë qytetarët dhe shëndeti i tyre. Nuk menaxhohet shëndetësia me UD të pa përvojë dhe të padëshmuar”, tha Dreshaj,, raporton Ekonomia Online.

“Pakënaqësitë deri më sot ishin të shumët. Dje, mjekët në specializim të cilët janë forca shtytëse e Shëndetësisë dhe puntorët e administratës protestuan për padrejtësitë e bëra në ligjin e Pagave. Është penguese në organizim të punës dhe diskrimunese mos pagesa e kujdestarive dhe mos stimulimi për rrezikshmëri. Disa herë si AAK Qeverisjes Kurti i është tërhequr vërejtja si në Parlament ashtu edhe në Komisione, për këtë diskriminim i cili dje rezultoi për këtë protestë”, tha tutje Dreshaj.