Dreshaj ankohet se LVV-ja po injoron iniciativat e opozitës

E publikuar: 23/09/2022 19:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti nga radhët e AAK-së, Shemsedin Dreshaj, ka thënë se partia, në të cilën ai bën pjesë, AAK, kërkon që neni 8, pika 2, i Ligjit për Skemat Pensionale të ndryshohet, pasi që për kontribute përfshihen vetëm punëtorët që janë të regjistruar 15 vjet para 1 janarit të vitit 1999.

Dreshaj tha se kjo ka qenë e pamundur të realizohet, pasi punëtorët janë dëbuar dhe janë rreshtuar brenda lëvizjeve demokratike.

“AAK-ja kërkon që të largohet komplet dhe të modifikohet ky ligj, pra ne kërkojmë që secili të paguhet aq sa ka kontribuar, pra aq vite sa ka dhënë kontribut, atë kontribut ta shfrytëzojë, e ka të drejtë të veten, e them se kjo është e drejtë në të gjitha vendet demokratike të botës”, tha Dreshaj në Info Magazine të Klan Kosova.

“Është e drejtë që është kërkuar edhe tash nga SBAShK-u në grevën e fundit, është njëra nga pikat e grevimit, është e drejtë që e kanë kërkuar sindikatat shumë më herët, pra të gjithë grupet e sindikatave me të cilët ne kemi mbajtur diskutime publike”.

Sa i përket iniciativave të opozitës në plotësim-ndryshime të ligjeve, Dreshaj tha se partia në pushtet, LVV, shpërfill çdo iniciativë opozitare.

“Nëse vazhdon një qasje e tillë e marginalizimit të opozitës, e cila përkundër dëshirës që të jep kontribut për të mirën e vendit, mendoj se duhet të sjellim në pikëpyetje opozitarizmin tonë”, u shpreh Dreshaj.