Drejtori Lenjani: Vllasi jashtë rrezikut, nuk ka nevojë për ndërhyrje

E publikuar: 13/03/2017 12:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Bastri Lenjani, ka bërë të ditur se gjendja e avokatit Azem Vllasi, i cili u plagos sot, është stabile dhe se është jashtë rrezikut për jetën dhe se për momentin nuk ka nevojë të operohet. Ai ka thënë se Vllasi është transferuar nga Emergjenca në Klinikën për Traumatologji në QKUK.

Lenjani ka thënë se shërbimet emergjente kanë marrë të gjitha masat për ta trajtuar rastin e plagosjes së Vllasit, ku ka treguar se ai është transferuar në një klinikë tjetër për trajtimin e rastit.

“Është lënduar në shpatull, ka vrimë hyrëse të plumbit, e jo dalëse. Për momentin në bazë të konsulencave mjekësore, nuk është e nevojshme që të bëhet ndërhyrje tek i plagosuri”, ka thënë Lenjani.

Avokati Azem Vllasi është plagosur sot në zyrën e tij në Prishtinë nga një person, rasti ka ndodhur rreth orës 8 të mëngjesit.