Dredhia e Presidentes, pse po e kërkon miratimin në Kuvend të Marrëveshjes?

E publikuar: 17/03/2023 19:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Vjosa Osmani

Vjosa Osmani ka disa ditë që insiston që marrëveshja e ardhshme me Serbinë të miratohet në Kuvendin e Kosovës. Këtë qëndrim të Presidentes, asnjëherë nuk e ka përmendur deri më tani Kryeministri Kurti. E po ashtu, edhe ndërmjetësit kanë lënë të kuptohet se marrëveshja s’ka nevojë të shkojë në Parlament. Atëherë, si i erdhi kjo ide Presidentes Osmani? Gjasat janë që ky është thjesht një kurth i saj për Opozitën – në radhë të parë, por edhe për të nxjerrë një siguresë për vete, meqenëse duket se Shefja e Shtetit nuk është e bindur se marrëveshja për të cilën është pajtuar Kurti, është plotësisht në harmoni me Kushtetutën.

Një ditë pasi Kryeministri Albin Kurti e kishte dhënë pajtimin për propozimin evropian në Bruksel, i cili u bë publik me t’u përfunduar takimi i tij me Përfaqësuesin e Lartë të BE’së Josep Borell dhe Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, Presidentja Osmani kishte dalë me një reagim rreth përmbajtjes së tekstit të këtij propozimi.

Shefja e shtetit kishte vlerësuar se takimi i 27 shkurtit në Bruksel “shënon moment pozitiv në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë”.

Mirëpo, Osmani në këtë reagim kishte theksuar se në Bruksel ishin pranuar disa propozime jo të lehta, që më vonë i kishte cilësuar edhe si koncesione.

“Me këtë marrëveshje, dje janë pranuar edhe disa propozime jo të lehta, që lidhen me vetëmenaxhimin e pakicës serbe në Kosovë dhe rregullimin e statusit juridik të Kishës Ortodokse Serbe. Teksti i marrëveshjes nuk i sqaron tërësisht implikimet nga këto si dhe disa çështje të tjera, të cilat duhet të sqarohen domosdoshmërisht para se të finalizohet Plani i Zbatimit”, thoshte në regimin e saj Presidentja Osmani.

Presidentja kishte kërkuar që për marrëveshjen ta thotë fjalën Kuvendi i Kosovës për arsye se ajo prekë disa “kategori kushtetuese të parapara në nenin 18 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.

“Presidentja konsideron se fjalën përfundimtare rreth kësaj marrëveshjeje duhet ta thotë Kuvendi i Kosovës, meqë preken kategori kushtetuese të parapara në nenin 18 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhej në reagimin që në media e kishte përcjell zëdhënësi Bekim Kupina.

Një kërkese të njëjtë shefja e shtetit e ka bërë edhe rreth 20 ditë më vonë,të premten, kur takoi emisarin e SHBA’së Gabriel Escobar, i cili erdhi në Prishtinë një ditë para takimit në Ohër.

Ajo pas takimit me diplomatin amerikan tha se është me rëndësi që çdo marrëveshje e arritur në kuadër të dialogut të jetë e zbatueshme dhe e implementueshme dhe që të ketë edhe përkrahjen e popullit dhe Kuvendit të Kosovës.

“Është thelbësore që çdo marrëveshje e arritur në dialog të jetë e zbatueshme dhe e implementueshme dhe të mbështetet nga populli dhe përfaqësuesit e tij të zgjedhur në mënyrë demokratike. Do të vazhdojmë të punojmë për konensus në vend dhe për të siguruar që marrëveshje pasi të nënshkruhet me planin e zbatimit të miratohet në Kuvendin e Kosovës dhe zbatimi i saj të bëhet në mënyrë efektive”, ka pohuar ajo.

Por, cila është arsyeja e këtij insistimi, pasi ndërmjetësit nuk kanë kërkuar që marrëveshja të shkojë për miratim në Kuvend, sipas burimeve të Gazetës.

Sipas të gjitha gjasave kjo lidhet me reagimin e Presidentes të 28 shkurtit, ku ajo theksonte se marrëveshja “prekë kategori kushtetuese të parapara në nenin 18 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.

Pra, Presidentja e vendit nuk është e sigurt se marrëveshja është krejtësisht “ok” në raport me Kushtetutën, prandaj miratimi i saj në Kuvend do ta vinte barrën te përfaqësuesit e popullit, nëse vie puna që për ujdinë ta thotë fjalën e vet Gjykata Kushtetuese dhe eventualisht gjen shkelje.

Partitë opozitare pas publikimit të propozimit europian për marrëveshjen Kosovë -Serbi, janë përplasur fort me Kryeministrin Kurti, për shkak se teksti i saj nuk e përmban njohjen. Po ashtu ata thonë se me këtë plan serbëve u jepet një lloj autonomie, ndërsa kanë rezerva edhe rreth nenit që flet për statusin e Kishës Ortodokse Serbe.

Si duket një pjesë e insistimit të Presidentes lidhet edhe me këto qëndrime opozitare. Me dërgimin eventual të marrëveshjes në Kuvend, ajo tenton t’i fut në kurth ata duke “i detyruar” të votojnë për një marrëveshje të cilën e kanë kritikuar ashpër javëve të fundit.

Kërkesa që marrëveshja të shkojë në Kuvend nuk kanë as Kryeministri Kurti e as Kryeparlamentari Glauk Konjufca, i cili po ashtu të premten e takoi Emisarin Escobar.

“Ritheksova se asnjëherë nuk do ta humbim fokusin nga njohja e plotë, dhe se çfarëdo marrëveshje që mund të arrihet në procesin e dialogut me Serbinë duhet të respektojë në plotni sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës” shkroi Konjufca.

As Kurti nuk pati kërkesë të ngjashme me Osmanin.

“Propozimi Evropian është cilësuar dhe pranuar nga Kosova si bazë e mirë dhe platformë solide për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër. Të përkushtuar, konstruktiv dhe kreativ, delegacioni qeveritar i Kosovës udhëton për në Ohër me vullnet të mirë, qëllime të mira dhe besim të mire” u tha në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Kundër dërgimin të marrëveshjes janë shprehur edhe ndonjë analist duke vlerësuar se Kosova nuk është mirë ta dërgojë për miratim në Kuvend duke marrë obligime të njëanshme, pasi Serbia s’do ta çojë në Kuvendin e saj marrëveshjen eventuale me Kosovën.