Dortmundi në finalen e Kupës, eliminon Bayernin në “Allianz Arena”

E publikuar: 26/04/2017 23:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Do të jetë Borussia Dortmund – Entracht i Frankfurtit finalja e Kupës së Gjermanisë që do të zhvillohet më 27 maj në Olimpia Stadion të Berlinit. Verdhezinjtë e Thomas Tuchel eliminuan në gjysmëfinale Bayernin e Mynihut, duke e mposhtur 3-2 brenda në “Allianz Arena”, një tjetër zhgënjim në fund të sezonit për skuadrën e Ancelottit, që pasi eliminimit në Champions nga Reali duhet t’i thotë lamtumirë edhe Kupës së Gjermanisë.

Pa u mbushur 20 minuta lojë Guerreiro përfitoi nga një pasim i gabuar i Javi Martinez dhe tenton portën përballë Ulreich. Ndjek aksionin Reus që shtyn në rrjeta topin e kthyer nga shtylla. Javi Martinez e shleu shumë shpejt gabimin, duke devijuar me kokë drejt rrjetës krosimin e Alonsos nga këndi.

Bayerni mori epërsinë në rezultat në të 41-tën, teksa Hummesl, një ish i Dortmundit ndëshkoi Burkin pas pasimit të marrë nga Ribery. Dortmundi u shfaq me tjetër fytyrë në pjesën e dytë, kur në të 69-ën, Aubameyang shënoi me kokë në shtyllën e dytë, i shërbyer nga Dembele. Golin e kualifikimit e realizoi pikërisht sulmuesi francez,pas një kundërsulmi të shpejtë të verdhezinjve. Me fat verdhezinjtë në minutat e fundit, pasi bavarezët nuk arritën të shënonin tjetër gol që do ta conte ndeshjen ne shtesë.