“Dolëm nga takimi me pozicione edhe më të largëta” – Sefaj jep detaje për takimin me Kurtin

E publikuar: 13/09/2022 23:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Anëtari i Këshillit Grevist, Ali Sefaj ka dhënë detaje për takimin e sotëm me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Qeverinë e Kosovës. Ai ka thënë se këtë herë, mikpritja ka qenë më e mirë, mirëpo Kurti s’ka bërë asnjë ofertë për t’i shtyrë grevistët drejt fundit të grevës.

Ai ka thënë se nga takimi me Kurtin dolën me pozicione edhe më të largëta se para takimit.

“Kemi pasur shpresë që do të marrim një ofertë dhe shpresonim që do dilnim nga greva. Takimi ishte miqësor, por temat nuk gjetën mirëkuptim dhe mbetëm edhe më larg se në pozicionet ku ishim. Mikëpritja ishte në nivel, por nuk pati ndonjë mirëkuptim për kërkesat tona”, tha Sefaj në “DPT te Fidani”, shkruan Gazeta Express.

Sefaj tha se sot, përfaqësuesit sindikalë, ishin përgatitur për lëshimin e radhës nga kërkesa kryesore prej 100 eurosh, por sipas tij, Kurti nuk ka lëvizur fare nga pozicioni i tij i ofertës, duke mbetur vetëm te Pakoja Kundër Inflacionit.

“Ishim përgatitur për një lëshim të radhës, vetëm që të mos pësojnë fëmijët. Takimi përfundoi me ofertën që e ka dhënë qe sa kohë. Kishte edhe disa dekore të vogla të parëndësishme”, deklaroi ai.

Sefaj tha se sikur të varej nga ai, greva do të përfundonte menjëherë.

”Sikur të varej nga unë, sot do të përfundonte greva, por kjo gjë varet nga sindikatat e Këshillit Grevist”, ka deklaruar Sefaj. /GazetaExpress