Do të lejojë që Berisha të futet në selinë e PD? Ja si përgjigjet Basha

E publikuar: 18/12/2021 22:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka mbajtur konferencë për mediat pas mbledhjes së kryesisë duke komentuar nëse do të lejojë që Berisha të futet në selinë e PD.

Basha tha se mund të ngjisë e të zbresë shkallët sa të dojë e të thërrasë protesta, por nuk do të jetë më pjesë e organeve drejtuese të PD.

Sa i përket anëtarësisë, thotë se ish lideri i PD do të jetë deri në momentin që gjykohet se dëmton rëndë interesat politike e elektorale.

Basha: Sali Berisha është përjashtuar si anëtar i grupit parlamentar të PD, si anëtar i këshillit kombëtar për shkak të vendimit të Kuvendit Kombëtar, rrugët e Berishës me organet drejtuese të PD janë të ndara. Me veprimet e tij është vetëpërjashtuar. Detyra jonë nuk është të merremi me të. Sa herë hip e zbrit shkallët Berisha nga selia është punë e tij. Detyra jonë është që çdo demokrat që ka interesat e PD dhe sakrificën e tij apo të saj të shenjtë, të jetë i bashkuar ndaj kundërshtarit tonë të vetëm, regjimi i Ramës.

Në ditët e ardhshme, Berisha mund ti hipë e zbresë shkallëve. Mund të thërrasë protesta kundër Blinken e kujtdo që mendon ai, mund të krijojë celula e organizata me orientim anti amerikan, por nuk do të jetë më pjesë e organeve drejtuese të PD. Anëtar do të jetë deri në momentin që gjykohet se dëmton rëndë interesat politike e elektorale, por deri tani, sjellja e tij është qesharake.