Disa lagje të Prizrenit janë pa furnizim me ujë, për gati 24 orë.
“KRU Hidroregjioni Jugor SHA” ka dalë me një reagim lidhur me këtë, ku ka sqaruar situatën.
Sipas një njoftimi, thuhet se ka ndodhur një defekt, për çka është ndalur furnizimi me ujë për një pjesë të konsiderueshme të qytetit të Prizrenit, konkretisht lagjet Bajram Curri, Jeta e Re, Arbana (pjesërisht), fshatrat Vlashje dhe Landovic, dhe pjesërisht disa rrugë dytësore.
“Gjatë ndërhyrjes, është gropuar vendndodhja e defektit dhe është konstatuar se ky defekt ndodhet poshtë bazamentit të një objekti komercial. Pas shumë përpjekjeve për sanimin e defektit, jemi përballur me vështirësi në sigurimin e vendit të punës, ku rrezikohet shembja e objektit, e cila mund të ketë pasoja fatale.”
Kësisoj, pas rishikimit të punës nga Inspektorati, është urdhëruar që punët të ndalohen për shkaqe sigurie.
“Me qëllim të rikthimit të furnizimit normal për konsumatorët e prekur nga kjo situatë, jemi duke shqyrtuar të gjitha mundësitë për dislokimin e përkohshëm të gypit furnizues Ø 350mm. Deri në përfundimin e këtij dislokimi, kemi angazhuar që menjëherë të fillojë shpërndarja e ujit me autocisternë.” – thuhet në njoftim.
/GazetaSinjali/