Diplomati i BE-së: Vetëm Kosova prapa Bosnjes për integrimet evropiane

E publikuar: 11/06/2022 18:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në kohën e agresionit të Rusisë në Ukrainë është rritur edhe interesimi i Bashkimit Evropian dhe NATO-s për sigurinë e Ballkanit Perëndimor, përkatësisht për parandalimin e ndikimit të luftës në Ukrainë në këtë rajon.

Bosnje e Hercegovina është identifikuar si “pika më e ndjeshme”, ku mund të ketë ndikim negativ nga Rusia, sidomos kur merret parasysh kriza e brendshme politike në këtë vend, e cila vazhdon me vite.

Bashkimi Evropian, në shumë dokumente të brendshme, e ka vlerësuar situatën në Bosnje e Hercegovinë si “krizën më të madhe politike pas përfundimit të luftës” së viteve ’90 atje.

Për BE-në, problem paraqet sjellja e Millorad Dodikut, udhëheqës i entitetit serb të Bosnjës, që njihet si Republika Sërpska. Dodik flet hapur për shpërbërjen e këtij shteti dhe ka nisur tashmë procesin e bartjes së kompetencave nga niveli shtetëror në atë të entitetit serb.

Por, problem serioz janë edhe raportet mes udhëheqësve politikë të boshnjakëve dhe kroatëve, që përbëjnë entitetin e njohur si Federata e Bosnje e Hercegovinës.

Kroatët janë ankuar se në shumë raste mbivotohen nga boshnjakët, që janë në numër më të madh, dhe se “u mohohet e drejta për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre”.

Në këto rrethana, institucionet shtetërore të Bosnjës janë pothuajse të paralizuara me vite.