Diplomatë e ekspertë të sigurisë paralajmërojnë emra të tjerë politikanësh e biznesmenësh nga Kosova në listën e zezë të SHBA-së

E publikuar: 10/12/2021 23:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-diplomatë dhe njohës të çështjeve të sigurisë mendojnë se listës së të sanksionuarve nga Amerika do t’i shtohem edhe biznesmenë e politikanë të tjerë nga Kosova.

Emrat e Zvonko Veselinoviqit e Milan Radojiçiqit mund të mos jetë të vetmit që Shtetet e Bashkuara i shohin si të padëshirueshëm.

Të papritura mund të ketë ditët e ardhshme me emra që janë figura të politikës vendase.

Së paku kështu mendon një ish-diplomat i Kosovës që ka shërbyer në Amerikë.

“Pres që të ketë edhe emra të tjerë që mund të jenë të sanksionuar nga SHBA. Mund të presim që në javët apo muajt e ardhshëm të ketë një listë që jo vetëm ata që kanë qenë të përfshirë në krim të organizuar por edhe ata që iu kanë bërë pengesa proceseve në Kosovë mund të përfshihen në listën e të sanksionuarve të SHBA-së”, tha Avni Spahiu për RTV Dukagjinin.

Sipas Spahiut, të gjithë ata që kanë pasur lidhje me krimin e organizuar në Kosovë mund të përfundojnë në listën e zezë të Administratës Biden, përcjell Telegrafi.

I kësaj linje është edhe eksperti i sigurisë Avni Islami, i cili thotë se njerëz të politikës do të sanksionohen.

Sipas Islamit edhe njerëzit e biznesit janë të rrezikuar nga Administrata e Biden.

“Unë besoj se sanksionimi i personave në Ballkan do të vazhdojë të thellohet, ku do preken persona të fuqishëm të bizneseve apo politikanë”, deklaroi Islami.

Edhe zyrtari i lartë amerikan Gabriel Escobar thotë se vendimet për të shpallur një zyrtar apo ish zyrtar si të korruptuar është institucional dhe aspak politik.

Ai thotë se edhe në rastin e sanksioneve ndaj serbëve të Kosovës, hetimet janë zhvilluar qysh në kohën kur president ishte Donald Trump.