Diplomacia e lodhët: S’parashikohen ditë të mira për Kosovën në arenën ndërkombëtare

E publikuar: 01/12/2019 00:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Diplomacia e Kosovës, aktualisht përshkruhet si e ngarkuar tej mase me kuadër politik me mungesë të theksuar të kuadrit profesionist apo të diplomatëve të karrierës.

Kështu të paktën thonë njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe përfaqësuesit e organizatave joqeveritare në Prishtinë.

Profesori Gëzim Visoka, i cili ligjëron për studimet për konfliktet edhe paqe në Dublin City University në Irlandë, thotë se shërbimi diplomatik i Kosovës nuk duhet depolitizuar në kuptimin e largimit të funksionit të politikë-bërjes, por duhet ri-politizuar, në kuptimin e marrjes së një roli më pro-aktiv në formulimin dhe zbatimin e politikës së jashtme të shtetit të Kosovës dhe në mbrojtje të interesave shtëtërore.

Në këtë kuptim thotë Visoka, diskutimi duhet të zhvendoset dhe bisedohet më shumë në profesionalizimin dhe fuqizimin e shërbimit të jashtëm se sa shëndërrimin e tij në një shërbim burokratik pa ndikim politikë.

“Pra, diplomatët e Kosovës duhet të kenë rol më aktiv në mbrojtje të interesave shtetërore të Kosovës dhe duhet të jenë formulues të politikave sektorale të politikës së jashtme nga poshtë lartë”, tha Visoka.

Profesori Visoka konsideron se për të ndodhur kjo kërkohet profesionalizëm më i madh.

“Në këtë rast, profesionalizëm më i madh do të nënkuptonte vendosje të kritereve meritokratike për punësime, investim në trajnim dhe ngritje kapacitetesh, dhe mbi të gjithash vendosje të një sistemi instituticonal për matje të performancës në përmbushje të synimeve të politikës së jashtme të Kosovës.

“Ky profesionalizëm nënkupton po ashtu fuqizim, mbikëqyrje dhe përkrahje më të madhe të shërbimit të jashtëm të Kosovës që nga Presidenca, Kryeministria dhe Kuvendi i Kosovës”, u shpreh Visoka.

Butrint Berisha nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike, tha për Radion Evropa e Lirë, se depolitizomi i diplomacisë apo shërbimi diplomatik dhe konsullor është mëse i domosdoshëm.

Ai thekson se për t’u arritur depolitizimi duhet të dihet se ku janë ngecjet dhe çalimet kryesore.

“Në hulumtimet tona që i kemi bërë brenda Institutit të Prishtinës për Studime Politike, ne kemi parë që ka një implementim jo të plotë të Ligjit për shërbimin e jashtëm dhe Ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme. Hapësirat që keto ligje të amandamentohen janë evidente”, tha Berisha.

Visoka tha për Radion Evropa e Lirë se në rrethana normale, emërimet politike në shërbime të jashtme diplomatike kanë për synim përafrimin e sistemit burokratik diplomatik me prioritetet politike të partive në pushtet.

Në rastin e Kosovës, emërimet politike nuk kanë rezultuar në përmbushje të prioriteteve politike të fushës së politikës së jashtme të partive politike në pushtetet.

“Ato emërime vetëm sa e kanë ngushtuar pavarësinë e shërbimit të jashtëm diplomatik në formulim, zbatim dhe vlerësim të prioriteteve të politikës së jashtme. Si pasojë e kësaj, Kosova shpesh është dashur të kërkojë asistencë nga jashtë për të kryer funksione të caktuara diplomatike dhe lobuese. Përtej kësaj, mendoj se si pasojë e çorientimit institucional nga ciklet e pafundme zgjedhore, mungesës së koordinimit ndërmjet bartësve kryesor të politikë së jashtme të Kosovës, dhe mungesës së përkrahjes konstruktive të diplomatëve të Kosovës, kemi shënuar ngecje dhe disfata në fushën e njohjes ndërkombëtare dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare”, tha ai.

Nëse problemet me profesionalizim apo me mungesën e fuqizimit të shërbimit të jashtëm vazhdojnë edhe më tutje, Visoka konsideron se nuk mund të priten ditë të mira për Kosovën në arenën ndërkombëtare.

Sipas tij nuk mund të priten suksese të reja diplomatike e mund të rrezikohet respekti dhe ndikimi te miqtë ndërkombëtar.

Ligji për Shërbimin e Jashtëm ka hyrë në fuqi më 30 janar 2009. Ky ligj parasheh që 50 % e të emëruarve duhet të jenë politik dhe 50 % të tjerë duhet të jenë ambasador të karrierës.

Berisha nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike tha se nene të caktuara te këtij ligji nuk zbatohen ose zbatohen shumë pak kur vihet në pyetje emërimi i ambasadorëve.

“Një problem që kanë qenë dhe që është ka të bëjë me misione, ku janë dërguar njerëz në misione që nuk kanë qenë fare pjesë e shërbimit diplomatik. E njëjta ka ndodhur edhe me konsullata. Mendoj se kjo është një shkelje tjetër”, tha Berisha.

Aktualisht Republika e Kosovës e zbaton politikën e saj të jashtme bazuar në dy dokumente kryesore: Programin e Qeverisë 2017 – 2021 si kornizë afatmesme, dhe Planin Vjetor të Punës së Qeverisë , si kornizë afatshkurtër. Në ueb faqen e Ministrisë së Jashtme të Kosovës janë të pasqyruara emrat e 28 ambasador/e të cilët shërbejnë në shtete të ndryshme. /REL