Dialogu me Serbinë shpërfaq dallimet në taborin politik në vend

E publikuar: 08/03/2020 19:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Me propozimin për heqjen e taksës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka hequr dorë nga roli i tij në dialogun përfundimtar Kosovë-Serbi.

Kështu ka deklaruar kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në një konferencë për media.

Haradinaj ka thënë se sa i përket dialogut skena politike në Kosovë është e ndarë në dy grupe, atë të presidentit Hashim Thaçi dhe të kryeministrit Albin Kurti, raporton KOHA.

Më tutje ish-kryeministri ka propozuar mbajtjen e një konference në Kosovë, nga kryetarët e të gjitha partive politike të përfaqësuara në Kuvend, për arritjen e konsensusit politik për çështjen e dialogut me Serbinë.

Kërkesës së Haradinajt i është përgjigjur zv.kryeministri Avdullah Hoti.

Hoti përmes një statusi në Facebook ka thënë se mbajtja e konferencës nuk është e nevojshme.

“Kosova ka institucione legjitime të dala nga zgjedhjet demokratike të 6 tetorit, të cilat bartin përgjegjësitë kushtetuese, përfshirë edhe dialogun me vendin fqinj Serbinë. Nuk ka nevojë për asnjë konferencë për këtë qëllim, të brendshme as të jashtme. Sigurisht se konsultimet janë gjithmonë pozitive. Duhet vetëm ushtrim i përgjegjësive kushtetuese nga secili. Kryeministri duhet të marrë përsipër dialogun ashtu siç e definon edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Presidenti duhet të qëndrojë brenda kompetencave të veta kushtetuese. Kuvendi duhet të kërkojë transparencë në këtë proces dhe të mbikëqyrë procesin, duke ftuar kryeministrin në raportim të rregullt, por edhe duke nxjerrë rezoluta nëse e sheh të nevojshme të shprehë qëndrimin e vet për të kornizuar më qartë dialogun”, ka shkruar ndër të tjera Hoti.

Konferencë për media të dielën ka mbajtur edhe Partia Demokratike e Kosovës. Migjen Kelmendi, anëtar i Kryesisë së PDK-së, ka thënë se Kurti është i paaftë të marrë vendim të saktë e të plotë ndaj taksës.

Ai më tutje, kërkoi përgjegjësi nga ministri i Integrimit Evropian, Blerim Reka, dhe qeverisë të udhëhequr nga Kurti, për idenë lidhur me korridorin për dalje të Serbisë në detin Adriatik përmes Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti, ka paralajmëruar heqjen e pjesshme të taksës për javën që lamë pas. Përkundër kësaj propozimin për një gjë të tillë, Kurti nuk e prezantoi edhe në mbledhjen e qeverisë. Propozimi i Kurtit, nuk është duke u përkrahur as nga ndërkombëtarët. Heqja e plotë e taksës në këmbim të ndaljes së fushatës së Serbisë, nuk i ka bërë përshtypje as kësaj të fundit, e cila ka vazhduar angazhimin për çnjohjen e Kosovës si shtet i pavarur.