Dhjetë vjet nga përfundimi i mbikëqyrjes së pavarësisë, Kurti: Kosova më e fortë se kurrë

E publikuar: 12/09/2022 17:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në shënim të 10- vjetorit të përfundimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, kryeministri Albin Kurti, priti në takim ish- Përfaqësuesin Civil Ndërkombëtar për Kosovën dhe ish -Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian, Pieter Feith.

Gjatë takimit rikujtuan 10 shtatorin e vitit 2012, kur Grupi Drejtues Ndërkombëtar shpalli përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës.

“Sot jemi mbledhur të festojmë 10-vjetorin e kësaj ngjarjeje më të re të historisë sonë, momentin një eveniment që shënon edhe fundin e një ere dhe fillimin e një tjetre, momentin kur Kosova u bë e lirë, sovrane dhe plotësisht një shtet i pavarur. Para 10 vjetësh, Republika e Kosovës ishte vetëm katër vjeçe. Pas 10 vjetësh, Republika e Kosovës është më e fortë se asnjëherë më parë”.

“Tani jemi shteti më demokratik i Ballkanit Perëndimor. Vetëm vitet e kaluara jemi përmirësuar për 17 vende në Transparency International dhe shtatë vende në Raportuesit pa Kufij. Jemi të parët në rajon sipas projektit të drejtësisë për sundimin e ligjit. Mbi dy mijë persona janë arrestuar, përfshirë 300 zyrtarë publikë. Kemi zhbërë 74 grupe kriminale dhe kemi konfiskuar 1.5 ton narkotikë”, ka thënë Kurti.

Duke e falënderuar për kontributin e tij dhënë për vendin tonë, Kurti e falënderoi për prezencën e tij në shënimin e këtij përvjetori.

Kryeministri e njoftoi me të arriturat e gjithmbarshme të Kosovës.

Feith e falënderoi kryeministrin dhe tha se ndjehet i nderuar nga ftesa për të qenë prezent në këtë përvjetor, duke rikujtuar se roli i Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar ka qenë i dobishëm dhe i ka ndihmuar Kosovës në përmbylljen me sukses të mbikëqyrjes së pavarësisë, si dhe në krijimin e bazës kushtetuese për funksionimin normal të shtetit të ri.

“Në Bruksel nuk ishin shumë të interesuar për rolin tim, por duke qenë ashtu siç kam qenë, shfrytëzova një qasje që të lëvizja përpara në mënyrë të shpejtë në zbatimin e një liste të gjatë të dispozitave të planit të Ahtisaari-t në fusha të ndryshme duke respektuar pikëpamjet dhe preferencat e politikanëve kosovarë, ashtu siç është duhur. Barta autoritetin dhe përgjegjësinë tek institucionet këtu… Në verën e vitit 2013 përfaqësuesit e grupit drejtues ndërkombëtar filluan që të japin konsiderata të daljes dhe dhënies fund të pavarësisë së mbikëqyrur”.

“Kishte shumë refleksione për datat dhe dhënies fund, atëherë po mendonim ne fund të verës 2012 dhe në të njëjtën kohë parimet e mia po fokusoheshin që gjatë vitit të kaluar, përpjekjet e fundit për të zbatuar sa më shumë që është e mundur të planit të Ahtisaari-t. 90 për qind të pakos e pa dritën e të zbatuarit me “dritën e gjelbër” të Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës. Si rezultat kur erdhi koha që të përfundojnë në shtator të vitit 2012, të nesërmen shkuam me keqardhje për shkak të miqësisë që kishim me kosovarët. Shkuam dhe nuk lamë gjurmë prapa”, ka thënë ai.

Së bashku risollën në kujtesë edhe disa nga aktivitetet gjatë kohës sa Pieter Feith ishte Përfaqësues Civil Ndërkombëtar për Kosovën dhe Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian, të organizuara nga Lëvizja Vetëvendosje, sikurse posteri “Feith No More” e që sipas Feith ishte tregues i padurimit për të mbyllur mbikëqyrjen e pavarësisë.

Kryeministri Kurti dhe Feith theksuan se Kosova është tregim suksesi i një shteti të ri dhe i zhvillimit të një shoqërie demokratike.​