Dështon seanca për vrasjen e para dy vjetëve, të akuzuarit nuk u sollën në Gjykatë

E publikuar: 03/11/2017 14:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ka dështuar sot seanca për vrasjen që u bë 2 vjet më parë, e njohur si “Vrasja e Shën Valentinit”. Të akuzuarit, Bajram e Besnik Bedrolli, nuk u sollën në seancë për shkak se urdhri që kishte dërguar Gjykata Themelore në Prishtinë, në burgjet ku ata gjenden, kishte dështuar së arrituri në adresën e duhur.

Gjyqtari i këtij rasti, Vehbi Kashtanjeva, edhe pse në sallën gjyqësore ishin mbrojtja e të akuzuarve, mbrojtja e palës së dëmtuar dhe dëshmitari që kishte për të dhënë dëshminë e tij lidhur me këtë rast sot, u detyrua ta shtyjë seancën ndaj Bedrollëve për shkak se ata nuk u sollën në seancë, raporton Express.

Gjyqtari tha se edhe pse Gjykata ka dërguar me kohë urdhëresën për sjelljen e të akuzuarve në seancën e sotme, ajo nuk ndodhi pasi, besohet se kishte probleme teknike dhe urdhri nuk ka shkuar te burgjet ku gjenden të akuzuarit.

Bajram e Besnik Bedrolli, njëri në Qendrën e Paraburgimit në Prizren e tjetri në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan, akuzohen se më 14 shkurt të vitit 2015, vranë Urim Dushullovcin.

Gazeta Express ka raportuar për seancën e fundit lidhur me këtë rast, e cila u mbajt muajin e kaluar. Në atë seancë kishte dhënë dëshminë e tij edhe vëllai i viktimës, Admir Dushullovci.

Dëshmi më 5 tetor të këtij viti kanë dhënë edhe një shoku i viktimës, Selim Selimi dhe muzikanti Fadil Jaha, i cili ishte duke performuar në natën kritike.

Sipas dëshmive të dëshmitarëve të kaluar, viktima Urim Dushullovci, më 14 shkurt, kishte dalë të festojë për lindjen e vajzës së tij, e cila tani i ka 2 vjet e gjysmë.

Seanca e radhës lidhur me këtë rast është shtyrë për 26 dhjetor.