Dështon miratimi i rezolutës së AAK-së në lidhje me marrëveshjen Kosovë-Serbi

E publikuar: 30/11/2022 14:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Me 42 vota kundër, 21 pro dhe një abstenim ka dështuar të miratohet rezoluta e propozuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Në votim morën pjesë 64 deputetë nga 77 sa ishin në sallë.

Kryetari Glauk Konjufca ka mbyllë punimet e interpelancës së sotme.

“Kuorum kemi pasë, s’miratohet. I mbyllim edhe punimet e kësaj interpelance dhe menjëherë kalojmë te seanca tjetër”.

Kjo ishte rezoluta e AAK-së, të cilën e lexoi në fillim të seancës kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj:

1. Institucionet e Kosovës, Presidenca, Kuvendi, Qeveria dhe nivelet e tjera shtetërore, të fillojnë dialogun me serbët që janë larguar nga institucionet për t’i kthyer prapë aty;

2. Qeveria të nisë me komunikim intensiv me faktorët më relevantë në vend, duke përfshirë edhe opozitën;

3. Të kërkohet një samit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës disaditor deri në përmbylljen e marrëveshjes finale me njohje reciproke Kosovë-Serbi.