Deri tani janë 26 mijë raste aktive me koronavirus në Kosovë

E publikuar: 31/08/2021 07:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kosova po kalon ditë kritike si pasojë e përballjes me koronavirusin. Edhe gjatë 24 orëve të fundit numri i vdekjeve ishte i madh. 20 viktima nga Covid-19 u raportuan gjatë ditës së djeshme, ndërkohë që u konfirmuan 932 Mraste të reja.

Në total numri i rasteve aktive është 26.525.

Prishtina është dukshëm komuna me më së shumti raste aktive, gjithsej 4912

Pas Prishtinës është Prizreni me 2078 raste aktive, Ferizaj 1813 e Peja me 1788 e Gjilani është i pesti me 1667 raste aktive.

Ndërkohë, gjatë natës së mbrëmshme në Kosovë ka filluar ora policore që nga 22:00, e cila pritet të zgjasë deri në orën 05:00 deri më 13 shtator. Kështu është paraparë në masat e reja të ndërmarra nga Qeveria për parandalimin e transmetimit të koronavirusit.

Në kuadër të masave të reja është paraparë edhe kufizimi i orarit të punës së gastronomisë.

Kafiteritë dhe restaurantet janë të lejuara të punojnë nga ora 05:00-21:30 vetëm në ambiente të jashtme.

Javëve të fundit situata me pandeminë COVID-19 është përkeqësuar në Kosovë. Vetëm javën e fundit u regjistruan 107 viktima dhe 13.475 raste të reja.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të vaksinohen, pasi varianti Delta i virusit korona po përhapet me shpejtësi dhe po shënohet dhe rritje e shpejtë e rasteve pozitive me këtë virus.