Deputetja e LVV-së, thirrje Kuvendit dhe Qeverisë t’i kontrollojnë mediat

E publikuar: 14/07/2022 13:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Share:

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, gjatë seancës së sotme ka kërkuar që Kuvendi dhe Qeveria t’i kushtojnë vëmendje Rezolutës së fundit të Parlamentit Evropian për Kosovën, në pjesën ku flet për mediat në vendin tonë.Sipas saj, rezoluta ka shprehur shqetësim që më herët nuk ka ndodhur në lidhje me investimet që janë bërë në mediat private, e që sipas saj, po përdoren për qëllime biznesore dhe shantazh.

“Një gjë shqetësuese që është përmendur në rezolutën e fundit dhe nuk është përmendur viteve të mëparshme është se viteve të fundit janë vërejtur investime të mëdha private në media, përmes të cilave është krijuar mundësia e ndërhyrjes dhe ndikimit në disa mediume kryesore dhe në ato online të cilat po përdoren për qëllime biznesore dhe shantazh politik”, deklaroi Pacolli në Kuvend.

Për të gjitha këto, ajo ka kërkuar nga Qeveria dhe Kuvendi të merren masa për, siç u shpreh ajo, të kuptuar “më shumë se çfarë po ndodh me funksionimin e mediave”.“Këtu kërkojmë vëmendjen e Kuvendit dhe Qeverisë që të marrin masa dhe të kuptojmë më shumë se çfarë po ndodh me funksionimin e mediave, transparencën dhe identifikimin e pronësisë së mediumeve”, deklaroi Pacolli.