Sherifi tregon pritshmërinë për seancën e demarkacionit!

E publikuar: 15/03/2018 21:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Java e ardhshme pritet të jetë vendimtare rreth votimit të demarkacionit. Seanca e së martës pritet që t’i jap fund epilogut të Marrëveshjes së shënjimit të vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Koalicioni qeverisës ka konfirmuar se ka siguruar numrat e nevojshëm për këtë çështje. Përderisa nuk po bëhet e ditur se kush janë personat që do të votojnë, mirëpo të paktën po dihet pas disa ‘lëvizje’ brenda partive politike që janë bërë kohëve të fundit.

Lidhur me këtë, ‘Indeksonline’ ka kontaktuar Shefin e Grupit Parlamentar të NismaSocialdemokrates, Bilall Sherifin për të mësuar se a i kanë votat.

Zyrtari i partisë së Limajt, pjesë e koalicionit nuk e ka mohuar e as pohuar mundësinë që ‘Grupi i të Pavarurve në Kuvend do ta votojnë këtë marrëveshje.

Megjithatë, ai ka ripërsëritur qëndrimin e grupit parlamentar të tyre rreth demarkacionit.

“Unë nuk flas në emër të koalicionit qeverisës se a i kem siguruar votat. Mund të tregoj vetëm qëndrimin e NismaSocialdemokrates për të cilën pohojë se të gjithë deputetët në parlament në seancën kur do të hedhet në votim Projektligji për demarkacionin do ta votojnë pro në mënyrë që qytetarët t’iu happen rrugët drejt BE-së”, është shprehur Sherifi.

Tutje, ai ka shtuar se Nisma e mbështet këtë Projektligj pas arritjes së marrëveshjes së dy presidentëve dhe njëkohësisht përpjekjes së liderit të tyre, Fatmir Limaj rreth zgjidhjes së kësaj çështje.

Ndryshe, Kryesia e Kuvendit ka vendosur që seanca për demarkacion të mbahet të martën në orën 16:00. Koalicioni qeverisës duket se me ardhjen e deputetes, Donika Kadaj Bujupi dhe me krijimin e Grupit të Pavarur në legjislativ ka siguruar numrat për kalimin e kësaj marrëveshje në Kuvend./Indeksonline/