Deputetët në udhëtim jashtë shtetit, këtë javë s’ka seancë plenare

E publikuar: 13/03/2023 13:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shefja Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tha se këtë javë nuk do të ketë seancë parlamentare, për shkak se dy delegacione do të jenë në udhëtim jashtë shtetit, raporton Ekonomia Online.

Ajo tha se seanca do të vazhdojë javën e ardhshme.

“U konfirmua se në këtë javë nuk do të këtë seanca plenare sepse dy delegacione të vendit do të jenë në udhëtime jashtë vendit. I bije që seancat e radhës i bie që të jenë në javën e ardhshme. Të gjitha komisionet do te vazhdojë mbledhjet”, tha ajo.

Lidhur me shtrenjtimin e energjisë elektrike, Kusari-Lila ka thënë se mbetet të shihet ditëve në vijim se cili do të jetë modeli final që do të përdoret nga prilli.

“Edhe vitin e kaluar ka qenë propozimi për shtrenjtim të energjisë elektrike pastaj qeveria ka subvencionuar. Mendoj që jemi në një fazë që duhet të shohim format dhe mundësitë që sa më pak të preket konsumatori. Mbetet të shihet ditëve në vijim se cili do të jetë modeli final. Mbetet në trajnim edhe nga ana e qeverisë cila është forma më e mirë që të ketë më pak ndikim”, ka thënë ajo.

Ajo është deklaruar edhe rreth bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë dhe pajtueshmërisë rreth planit evropian, për çka pritet të mbahet takim i radhës në Ohër më 18 mars.

“Pala kosovare ka prezantuar gatishmërinë për tu dakorduar për një plan që rrjedh nga propozimi evropian. Presim qasje konstruktive edhe pse mund të flasim vetëm për njërën palë. A do të ketë sukses takimi në Ohër mbetet të shihet. Sa i përket përmbajtjes është ende në proces. Ajo është në mes të palëve”, është shprehur ajo.