Demokratët të hënën do ta dorëzojnë në Senat nenin për shkarkimin e Trumpit

E publikuar: 22/01/2021 20:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të hënën pritet që ta dorëzojë në Senat nenin për nisjen e procesit të shkarkimit të Donald Trumpit rreth akuzës për nxitje të kryengritjes më 6 janar. Lideri i demokratëve, Chuck Schumer, ka thënë se Senati do ta mbajë një gjykim të plotë ndaj ish-presidentit Trump.Ky veprim i demokratëve u ndërmor vetëm pak orë pasi republikanët në Senat kanë kërkuar shtyrjen deri në shkurt të nisjes së procesit. Republikanët kanë argumentuar se me shtyrjen e procesit Trumpit do t’i jepet kohë për ta përgatitur mbrojtjen. Dhoma e Përfaqësuesve gjatë javës së kaluar ka akuzuar Trumpin për nxitje të dhunës në Capitol. Në rast se dënohet, atij mund t’i pamundësohet gara për zgjedhjet e ardhshme të vitit 2024.Disa prej demokratëve përkrahin shtyrjen e gjykimit të Trumpit, duke argumentuar se kësisoj Senati do të kishte kohë të mjaftueshme për t’i konfirmuar të nominuarit e kabinetit të presidentit Joe Biden.Por demokratë të tjerë kërkojnë gjykim të shpejtë të Trumpit, me qëllim që shteti amerikan të mund të ecë përpara. Trumpi ndodhet në Florida që prej 20 janarit, kur refuzoi të merrte pjesë në inaugurimin e Bidenit. Veprimet e ish-presidentit para dhunës së 6 janarit janë pika kyç të procesit që po zhvillohet ndaj tij.Katër protestues dhe një polic kanë vdekur gjatë trazirave në Capitol. Trumpi u bë i vetmi president në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që gjykohet dy herë për shkarkim. Gjykimi i tij në Senat është i pari që zhvillohet pas largimit të një presidenti nga detyra.