Delegacioni i Kosovës nesër në Kizhevak, deklarohen para mediave me përfaqësuesin serb

E publikuar: 03/12/2020 14:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në vendin ku po dyshohet se janë mbetjet mortore të 17 kosovarëve të vrarë në luftën e Kosovës nesër do të qëndrojë koordinatori i delegacionit të Kosovës, Ibrahim Makolli, raporton Gazeta Express.

Në këtë lokacion sic thuhet në njoftimin e Qeverisë do të jetë edhe kryetari i delegacionit të Serbisë, Veljko Odalovic.
Aty ndërkaq do të mbahet edhe konferencë për media, thuhet tutje në njoftim.

“Nesër më 04 dhjetor 2020, në lokacionin e varrezës masive në Kizhevak të Serbisë, kryetari i Delegacionit të Kosovës, z. Ibrahim Makolli dhe ai i delegacionit të Serbisë z. Veljko Odalovic do të mbajnë konferencë për media’, thuhet në njoftim.

Për këtë cështje ka shkruar ditë më parë edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

“Gërmimet vlerësuese dhe zhvarrosjet e mbetjeve mortore të viktimave të luftës së viteve 1998 – ‘99 në Kosovë, gjegjësisht punimet në këtë lokacion, do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Ekspertët mjekoligjorë të Republikës së Kosovës, në emër të Delegacionit të Kosovës, do të vazhdojnë të jenë të pranishëm deri në përfundim të procesit, në përputhje me praktikat mes dy delegacioneve”, kishte thënë Hoti.