Delawie fton bizneset e reja të moskorruptohen por ta luftojnë atë

E publikuar: 13/11/2017 20:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nuk ka tryezë, takim apo debat ku kori diplomatik në Kosovë nuk bën thirrje që të luftohet korrupsioni.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, kësaj radhe, këtë porosi ua ka bërë ndërmarrësve të rinj në “Javën Globale të Ndërmarrësisë 2017”.

Derisa ka thënë se Kosova ka ecur pozitivisht në përmirësimin e klimës së të bërit biznes, i ka porositur ata që të bëhen pjesë e luftës kundër korrupsionit.

“Korrupsioni zbeh zhvillimin e ekonomisë së Kosovës andaj duhet luftuar. Gjeni mënyra ta luftojmë atë. Korrupsioni fshihet në errësirë, zbardheni, ikni favoreve të fshehta. Kalimi i Kosovës nga vendi i 60-të në vendin e 40-të të të bërit biznes tregon për përmirësim drejt rrugës së duhur”, ka thënë Delawie.

Mbështetje ndërmarrësve u ka ofruar edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Sipas kryeministrit, kosovarët janë ndërmarrës në shpirt, kanë guxim, vizion dhe ide, të cilat do të përkrahen nga qeveria.

Ndërkaq, drejtori i Qendrës Inovative në Kosovë, Uranik Begu, tha se përmes këtyre aktiviteteve është krijuar një aleancë për fuqizimin e ndërmarrësisë në vend.

Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ka kërkuar më shumë vende të reja pune në mënyrë që të përmirësohet bilanci tregtar në vend.

Aktivitete të shumta me rëndësi janë paralajmëruar në kuadër të kësaj jave.