
Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, i ka ftuar përfaqësuesit e partive politike në një takim konsultativ para vazhdimit të seancës konstituive.
Takimi është thirrur për në orën 11:30, për t’u dakorduar paraprakisht se si të shkohet tutje me konstituimin e Kuvendit.
Thirrjen e këtij takimi e ka konfirmuar deputetja e zgjedhur e PDK’së, Ariana Musliu-Shoshi.
“Po, në ora 11:30 është thirrur takimi konsultativ”, ka thënë Musliu-Shoshi.
Edhe Time Kadriaj nga AAK e ka konfirmuar ftesën për një takim të tillë.
“Po, jemi ftu”, ka deklaruar Kadriaj.
Në një takim të tillë, Dehari i kishte ftuar partitë edhe të enjten, mirëpo pasi kishte filluar seanca. Pas përfundimit të atij takimi, raporti për verifikimin e mandateve të deputetëve s’ishte hedhur fare në votim dhe seanca është ndërprerë.
Partitë kanë akuzuar njëra-tjetrën për bllokimin e formimit të institucioneve të reja. PDK, LDK, AAK po insistojnë që anëtarët e kabinetit qeverisës, duhet të japin dorëheqje formale që të betohen si deputetë dhe nuk duhet të vazhdojnë punën në ekzekutiv.
Ndërkohë, Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po e cilëson si të pakuptimtë kërkesën për dorëheqje.
Sipas tij, Qeveria e tij është në dorëheqje që nga 23 marsi.