Deda: Brenda javës së ardhshme ne do ta shpërndajmë vet Kuvendin

E publikuar: 31/07/2019 19:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti i pavarur, Ilir Deda ka thënë se Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duhet t’i kryej brenda ditës diskutimet me partitë politike.

Ai ka thënë se këto diskutime duhet të kryhen sa më shpejt.

“Presidenti është duke e nënçmuar skenën politike sepse ai konsultimet mund t’i përfundoj në një ditë, e jo ta zgjas kaq shumë. Kushtetuta i jep dy mundësi. Unë e kam dëgjuar diçka që nuk është e bazueshme për Qeveri teknike. Ajo është kot kur thuhet se Kuvendi sipas Kushtetues mund ta zgjedh një Qeveri të re politike, ku përfaqësues nuk është PAN-i. Vullneti i partive është të shkojmë në zgjedhje, e jo për këtë”, ka thënë ai në Telegraf.

Sipas tij javën e ardhshme duhet të shpërndahet Kuvendit.

“Pasi që Presidenti po vonon kaq shumë, ne më së largu javën e ardhshme e shpërndajmë vetën tonë. Por po i presim tani zgjedhjet e LDK-së, të shohim se kush do të jetë udhëheqja e re në mënyrë që ta dimë se a do t’i bashkojë partitë tjera opozitare. Unë jam gjithmonë për kthesë, duhet bërë presion për përgjegjësi për ata që thirren në ndryshim. Logjika është që PAN-i me shku në opozitë, ndërsa opozita e tanishme LDK- LVV- PSD, dhe ne të tjerët, e edhe ata që nuk janë duke garuar në zgjedhje, me kualitet mendor do ta forcnonin listën”, ka thënë ai.

Sipas tij Qeveria e ardhshme do ta ketë vështirë ta kthej besimin e qytetarëve dhe se siç theksoi Deda në 100 ditëshin e parë do të mundohet vetëm për këtë.

“Qeveria e ardhshme duhet të dijë se me cilat tema do të merret. Duhet të bëhet lista me prioritetet në rrafsh të jashtëm dhe të brendshëm. Me e vështira është të kthehet besimi qytetar i humbur, duhet të punohet për këtë”, është shprehur Deda.

Deda ndër të tjera ka folur edhe për të ardhmen e tij politike, duke theksuar se të vetmin mendim ka për një opozitë të bashkuar.

“Unë jam i angazhuar të ketë listë të përbashkët opozitare, dhe do të angazhohem për opozitën e bashkuar. Në fund do të vendosi. Në këto zgjedhje duhet me dal me një projekt për ndryshim dhe këtë e ka në dorë opozita e bashkuar. Unë iu kam thënë të gjithëve, hajde po e presim LDK-në çka do të ndodhë me 3 gusht, pastaj po bëjmë presion për bashkim opozitar. Nëse nuk ndodhë kjo, atëherë gjithkush rrugës së vet. Për mua ky është opsioni më i keq”, ka deklaruar ai.