De Biasi kërkon ndihmën e shqiptarëve për t’u bërë trajner i Italisë

E publikuar: 24/01/2018 16:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gianni de Biasi vazhdon të jetë një nga kandidatët kryesor për të qenë trajner i Kombëtares së Italisë
Ish-trajneri i Shqipërisë, Gianni de Biasi i ftuar në studion e Supersport, në momentin që hidhej shorti i Ligës së Kombeve ka deklaruar se ende ka shanse që të bëhet trajner i Italisë dhe për këtë ka kërkuar ndihmën e të gjithë shqiptarëve.

“Shkruajini të gjithë Federatës së Italisë të më zgjedhin mua trajner. Edhe kjo mund të shërbejë, por do të zgjidhet më parë presidenti dhe më pas do të vendoset për trajnerin”, deklaroi De Biasi.

Ish-trajneri i kombëtares ka bërë analizën e tij për shortin e hedhur në Lozanë, duke vlerësuar dy kundërshtarët e Shqipërisë.

“Besoj seic e thashë më parë që Izraeli është në fazë tranzicion. Ata kanë futbollistë që kanë bërë histori në futboll, por për ne është problem ndeshja e parë, ku duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Në eliminatoët e shkuara ndikuan ndryshimi i ndeshjes për arsyen e sigurisë dhe më pas edhe arbitri që ndikoi me veprimet e tij”, tha De Biasi.

Në komentin e tij, trajneri Italian foli edhe për grupin në të cilin është shortuar Italia.

“Grup shumë i vështirë për Italinë, sepse janë dy realitete si Portugalia dhe Polonia. Kampionia e Evropës në fuqi dhe Polonia me shpëthimin e shumë futbollistëve që luajnë në kampionatet më të mira. Besoj se të gjitha grupet janë të forta dhe nuk është e lehtë për asnjë dhe kjo i jep më shumë bukuri këtij turneu”, u shpreh De Biasi që më tej zbuloi se ka qenë shumë pranë firmosjes me Kombëtaren e Polonisë.

“Nuk dua të flas për këto gjëra. Polonia ka qenë një opcion për mua, por bëhet fjalë 3 vjet më parë. Bëra gjënë e duhur, sepse shkova në Evropian me Shqipërinë. Në atë kohën folën dy presidentët, Boniek dhe Duka dhe presidenti ishte i bindur që unë do të rinovoja kontratën”, tha De Biasi. /Express/