DASH: Kurti dhe Vuçiq të tregohen fleksibil në Ohër, të implementohet plotësisht propozimi europian

E publikuar: 14/03/2023 19:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Anthony Blinken The NewYork Times

Në një përgjigje ekskluzive për Gazetën Express nga Departamenti Amerikan i Shtetit kanë thënë se presin që Kosova dhe Serbia të shfrytëzojnë takimin e 18 marsit në Ohër për të treguar përkushtimin për një rajon me një të ardhme paqësore. Nga Washingtoni thonë se inkurajojnë Kurtin dhe Vuçiqin që të tregohen fleksibil dhe konstruktiv derisa ecin drejt implementimit të plotë të propozimit franko-gjerman.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic do të takohen në Ohër më 18 mars ku do të diskutojnë për Aneksin e Implementimit të propozimit franko-gjerman. Megjithatë kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti ka lënë të kuptohet sot se mund të mos vendoset përfundimisht gjithçka në Ohër. Derisa ka ripërsëritur gatishmërinë e Kosovës për të nënshkruar në takimin e radhës dhe ka theksuar se nëse s’do të ketë marrëveshje është e dukshme se kush është pala destruktive.

Ndërkohë presidenti i Serbisë Aleksander Vucic insiston jashtëzakonisht shumë në çështjen e Asociacionit dhe ka ritheksuar disa herë se Serbia s’do të lejojë anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe s’do të ketë as njohje të pavarësisë së Kosovës.

Por cilat janë pritjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga takimi i 18 marsit në Ohër . Në një përgjigje ekskluzive për Gazetën Express një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit ka thënë se presin që Kosova dhe Serbia të shfrytëzojnë takimin e 18 marsit në Ohër për të demonstraur përkushtimin e tyre për një të ardhme paqësore për rajonin.

Ky zëdhënës ka shtuar tutje se SHBA inkurajon Kosovën dhe Serbinë që të punojnë në mënyrë konstruktive dhe fleksibile për implementimin e plot të propozimit franko-gjerman dhe ka ritheksuar përkrahjen e fuqishme të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

“Në presim që të dy palët t’i shfrytëzojnë bisedimet në Ohër, në Maqedoni të Veriut për të demonstruar përkushtimin e tyre për një të ardhme paqësore për rajonin. Ne inkurajojmë palët të vazhdojnë të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe fleksibile ndërsa ecin drejt implementimit të plotë të këtij propozimi. Ne mbështesim plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian”, ka thënë një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit për Gazetën Express.

Lidhur me dialogun Kosovë -Serbi dhe një marrëveshje potenciale ka folur sot edhe emisari i BE-së, Miroslav Lajcak në një intervistë për televizionin publik të Serbisë. Lajcak ka thënë se nëse s’do të ketë Asociacionin s’do të ketë as marrëveshje.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ndërkohë ka ritheksuar disa herë se Kosova s’do të krijojë Asociacion një-etnik edhe përkundër faktit se në propozimin franko-gjerman specifikohet se palët do të implementojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në të kaluarën në kuadër të dialogut të Brukselit.

Më 18 mars në Bruksel do të bëhen diskutime për Aneksin e Implementimit, në të cilin me shumë gjasë do të negociohet edhe për çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, marrëveshje të cilët e kërkojnë edhe ndërkombëtarët.