Dalin para gjykatës dy të miturit e dyshuar për dhunimin e 11-vjeçares

E publikuar: 30/08/2022 13:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dy të miturit që u arrestuan mbrëmë nën dyshimin për dhunimin e 11-vjeçares në Prishtinë, kanë dalë para gjykatës.

Seanca sapo ka filluar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti për të Mitur, tek gjykatësja Elife Ukaj, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Pas kësaj seance pritet të vendoset lidhur me caktimin e masës ndaj dy të dyshuarve.

Ndryshe, lidhur me këtë rast janë arrestuar edhe dy të dyshuar të tjerë E.R dhe G.R, të cilëve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

Kurse, i dyshuari i pestë po kërkohet nga policia, pasi i njëjti është identifikuar.

Sipas policisë, rasti ka ndodhur më 27 gusht, ku e mitura dyshohet se u dhunua nga pesë të dyshuarit në Prishtinë për disa orë.

Dhunimi i vajzës, sipas dosjes së Prokurorisë Themelore të Prishtinës, të cilën e posedon Gazeta Express, ka nisur të shtunën në parkun në lagjen “Arbëria” në Prishtinë, për të vazhduar në një lokacion tjetër të panjohur. Në dosjen e prokurorisë përshkruhen detaje tronditëse.

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka dje kërkuar paraburgim ndaj 26 vjeçarit dhe një të mituri, vëllezër mes vete, si të dyshuar për dhunimin e vajzës 11-vjeçare. Dje, Gjykata Themelore e Prishtinës, ua ka caktuar atyre masën e paraburgimit.

Dy të dyshuar tjerë për dhunimin e të miturës janë arrestuar mbrëmë, ka njoftuar Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Më vonë, Policia ka dalë me komunikatë, përmes së cilës ka njoftuar se është identifikuar edhe i dyshuari i pestë për rastin, i cili është ende në arrati.

Sipas prokurorisë, i pandehuri E.R, 26-vjeç, ka kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e të dëmtuarës, “në atë mënyrë që të pandehurin fillimisht e kishte thirrur në telefon vëllai i tij, i mitur., pastaj i pandehuri ka shkuar me “Pickup” tek parku në lagjen “Arbëria” në Prishtinë dhe e ka marrë me veturë vëllain e tij dhe të dyshuarit Xh.S., dhe G.J., të cilët ndodhen në arrati dhe të dëmtuarën. Pastaj rrugës tek varrezat kanë zbritur i mituri dhe, dhe Zh.S., ndërsa i pandehuri së bashku me G.J,.dhe të dëmtuarën janë larguar me veturë, ashtu që pas pak E.R., ka ndaluar veturën në një vend të panjohur dhe ka kryer marrëdhënie seksuale me të dëmtuarën. Edhe pse e ka ditë që e dëmtuara është nën 14-vjeç”, përshkruhet në kërkesën për caktimin e paraburgimit ndaj tij.

Aty shkruan se nga deklarata e të miturës dhënë në polici me datën 28.08.2022 rezulton se “përderisa e mitura ka qenë në park, i janë afruar tre persona, ku kanë filluar ta ngacmojnë me fjalë, ku e dëmtuara ka vazhduar të ecë por më pas njëri ka filluar edhe ta prekte”.

“Më pas të njëjtit, sipas viktimës, kanë vazhduar që ta ndiqnin dhe njëri nga ta e ka tërhequr me një qosh dhe të dy kanë filluar t’ia heqnin rrobat. Personi me maicë të bardhë ia ka kapur duart ndërsa perosni tjetër ka kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj. Kur e dëmtuara ka filluar të bërtasë ata ia kanë mbyllur gojën dhe marrëdhënia ka ndodhur në këmbë. E dëmtuara ka deklaruar që pasi ka përfunduar njëri marrëdhënien e ka filluar tjetri” thuhet në përshkrimin e rastit që ka bërë prokuroria, transmeton Gazeta Express.

Më pas sipas saj, ka ardhë një automjet “pickup” ku dy persona janë ulur mbrapa dhe viktima përpara. Ajo ka deklaruar se edhe shoferi i veturës ka kryer marrëdhenie me të.