Dalin pamjet se si u kap me 20 kg kokainë ish-kryetari i Vlorës

E publikuar: 12/06/2022 13:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Policia italiane ka publikuar pamjet e aksionit për arrestimin e ish kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku. Ky i fundit është arrestuar disa ditë më parë, pasi është kapur me 20 kg kokainë së bashku me nipin e tij.

Në rast se droga do të shitej në treg, do të kapte vlerën e rreth 1 milion eurove. ABC ka mësuar se për rreth 60 ditë Kajmaku dhe grupi të cilit i shërbente ishte nën vëzhgim të rreptë 24 orë.

Për të ndjekur hap pas hapi çdo lëvizje të tij, policia italiane kishte montuar kamera në disa akse, banesa dhe lagje ku kryheshin bisedat dhe takimet që kishin tematikë aktivitetin e paligjshëm të lëndëve narkotike në shtetin fqinj dhe Europë.

Pas kapjes së tij autoritetet italiane kanë kërkuar informacione te autoritetet shqiptare në lidhje me këtë shtetas i cili ka qenë ndër personat më të rinj që i është bashkuar grupit.

Për më shumë se 8 muaj policia italiane kishte rënë në gjurmët e tij, ndërsa nisi ta mbante në vëzhgim derisa u arrestua me 20 kilogramë kokainë. /abcnews.al