Daciq: Sikur ta dinim se është në pyetje Kosova, Serbia do të votonte ndryshe për rezolutën e Krimesë

E publikuar: 27/12/2016 16:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, në një prononcim për media, ka porositur diplomatët e huaj në Beograd se Serbisë nuk ka nevojë që t’i jepen leksione dhe të ndërhyjnë në politikën e vendit.

Daçiq, me rastin e deklaratës së ambasadorit të Ukrainës, Alexander Alexandrovich, se Serbia me votën kundër rezolutës së Krimesë “qëlloi veten në këmbë”, tha se ai nuk ishte i sigurt nëse ata që kanë votuar për projektrezolutë për Krimenë do të votonin ashtu po të ishte në pyetje Kosova.

“Unë ua heqë kapelën të gjithë atyre që votuan kundër Rusisë për Krimenë, po që se shkruajnë ashtu për Kosovën kur bëhet fjalë për integritetin territorial të Serbisë”, ka thënë Daçiq.

Daçiq ka përsëritur se “Serbia votoi kundër rezolutës së OKB-së për Krimenë për shkak të tekstit jashtëzakonisht të ashpër të intonuar në të cilin në mënyrën më të paskrupullt sulmohet Rusia”.

Ai përsëriti se Serbia respekton integritetin territorial të Ukrainës.

Ambasadori i Ukrainës në Serbi, Alexander Alexandrovich, ka dalë me deklaratë negative ndaj votës së Serbisë kundër Rezolutës së OKB-së për shkeljen e të drejtave të njeriut në Krime.

“Për këtë, ky qëndrim mund të kthehet kundër Serbisë dhe Ukraina mund të mos e njohë Kosovën si pjesë të Serbisë si kundërpërgjigje. Me fjalë të një proverbi anglez, Serbia e ka qëlluar veten në këmbë”, ka thënë ai në një intervistë dhënë “New Serbian Political Thought”.

“Ka pasur një traktat në mes të SHBA-ve dhe Bashkimit Sovjetik, sipas të cilit Jugosllavia mbetej një shtet i unifikuar. Por sot, ky traktat nuk ekziston, dhe Serbia do të copëtohet nga lojtarët e mëdhenj. Është tragjedi e politikës suaj neutrale. Është më mirë të zgjedhësh njërën anë në vend se të provosh të mbrohesh nga të gjithë. Për shembull, Ukraina sot është duke i korrur frytet e neutralitetit të saj”, ka thënë Ambasadori, transmeton Koha.net.

Kujtojmë se më 19 dhjetor, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi një Rezolutë për gjendjen e të drejtave të njeriut në Republikën Autonome të Krimesë dhe në qytetin e Sevastopolit.

Dokumenti dënon shkeljet e rënda dhe abuzimet kundër banorëve të Krimesë, përfshi edhe vrasjet jashtë gjyqësisë, kidnapimet, zhdukjet, ngacmimet kriminale të motivuara politikisht, diskriminimin, frikësimin, dhunën, torturën dhe shkelje tjera të të drejtave të njeriut në Krime. Rezoluta i bën thirrje Rusisë së pushtet okupues t’i përmbahet obligimeve të veta në pajtim me ligjin ndërkombëtar dhe menjëherë të lirojë qytetarët ukrainas të ndaluar ilegalisht dhe të dënuar pa përfillur normat themelore të Drejtësisë.

26 vende, përfshi edhe Serbinë, votuan kundër këtij dokumenti.