Daçiq: Lufta për Kosovën ka qenë dhe është prioritet i diplomacisë

E publikuar: 26/04/2023 14:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se lufta për Kosovën ka qenë segmenti më i rëndësishëm i punës së departamentit të tij në gjashtë muajt e parë.

Po ashtu, ai ka theksuar se ky avaz do të vazhdojë edhe në të ardhmen, shkruan Tanjug.

“Çdo ministri, secili prej nesh anëtarët e qeverisë, e ka Kosovën e ka prioritet të angazhimit të saj, sepse është padyshim çështja jonë më e rëndësishme shtetërore”, deklaroi Daçiq.

Kryediplomati serb ka përmendur edhe Marrëveshjen e Brukselit.

Sipas tij, kanë kaluar 10 vjet nga miratimi i saj dhe se ende nuk është formuar Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Ndryshe, në takimin e radhës në mes të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq, që do të mbahet më 2 maj në Bruksel, do të jetë pjesë e agjendës edhe draft-statuti i parë i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Kështu ka bërë të ditur i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.