CMG-ja: Rifillimi i gjithanshëm i punës në Shangai shton besimin e investitorëve të huaj

E publikuar: 02/06/2022 11:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

CMG-ja: Rifillimi i gjithanshëm i punës në Shangai shton besimin e investitorëve të huaj.

Me përmirësimin e vazhdueshëm të situatës epidemike, Shangai filloi të mërkurën në mënyrë të gjithanshme rendin normal të jetës dhe të prodhimit.

Rikthimi në normalitet i Shangait, qendra industrialo-tregtare dhe financiare e Kinës, ku ndodhet porti më i madh në botë i përpunimit të kontejnerëve, është jo vetëm dëshira e përbashkët e banorëve të Kinës, por edhe e gjithë botës. Analistët ekonomikë vunë në dukje se rifillimi i punës dhe i prodhimit mund të nxisë përmirësimin e zinxhirëve globalë të furnizimit, ndërsa rigjallërimi i tregut të konsumit të Kinës mund të favorizojë ndërmarrjet botërore.

Pas më shumë se dy muaj përpjekjesh të mundimshme, politika “zero-COVID dinamike” pati një fitore të re, duke u dëshmuar përsëri si masë e domosdoshme që mbron shëndetin e jetën e banorëve dhe zhvillimin afatgjatë ekonomik me koston më të ulët.

Rezultatet e arritura gjatë betejës antiepidemike në Shangai, si dhe mbështetja e fortë e bashkisë së këtij metropoli për rifillimin e punës dhe të prodhimit, kanë shtuar edhe besimin e investitorëve të huaj. Siç mësohet, që nga mesi i prillit, Shangai nxiti rifillimin e funksionimit të ndërmarrjeve me investime të huaja dhe atyre që merren me tregti të jashtme në tre kontingjente. Deri më 29 maj, 91 % e 142 ndërmarrjeve të kontingjentit të parë rifilluan punën. Gigafabrika e “Tesla”-s, si një ndër këto ndërmarrje, tani ruan vëllim të afërt prodhimi në krahasim me nivelin e para dy muajve dhe pritet të rinisë funksionimin e gjithanshëm normal brenda këtij muaji.

Po në maj, pikërisht gjatë fazës kyçe të betejës antiepidemike në Shangai, gjiganti francez i kozmetikës “L’Oreal” deklaroi krijimin në këtë metropol të Kinës të kompanisë së vet të parë të investimeve në tregun kinez. Sipas kompanisë, vëllimi i shitjeve të saj në Kinë shënoi një rritje mbi dyshifrore në tremujorin e parë të këtij viti.

Në fakt, përmasa gjigante e tregut, mjedisi i biznesit në përmirësim e pandërprerë dhe aftësitë e forta të krijimit të risive dhe të përballimit të rreziqeve e bëjnë Kinën një destinacion nga i cili kapitali global e ka të vështirë të ndahet. Të dhënat statistikore tregojnë se në katër muajt e parë të sivjetshëm, u nënshkruan 185 projekte me investime të huaja në Kinë, ose 1.5 projekte në ditë, me një vlerë mbi 100 milionë dollarë amerikanë secili. Një raport i publikuar nga Këshilli i Promovimit të Tregtisë Ndërkombëtare i Kinës tregon se në tremujorin e parë të këtij viti, gati 90 % e ndërmarrjeve të huaja e kanë ruajtur ose zgjeruar biznesin në Kinë.