Çitaku: Gërvalla duhet t’ia japë një përgjigje Serbisë

E publikuar: 05/01/2023 13:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nënkryetarja PDK-së dhe ish-ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku, ka thënë se gjithmonë duhet marrë me rezervë çfarëdo deklarimi që vjen nga Beogradi. Megjithatë potencon se është shqetësuese heshtja e ministres Donika Gërvalla dhe ministrisë që ajo drejton karshi gjithë pretendimeve që hedh në publik Beogradi.

“Nga përvoja, gjithmonë duhet marrë me rezervë deklaratat nga Beogradi. Në raport me Kosovën ata vazhdimisht synojnë të krijojnë mjegull dhe huti. Çka thonë eksponentët në Beograd nuk e trajtoj kurrë si të mirëqenë. E di çka kanë thanë për mua dhjetëra herë. Vec alien nuk më patën bërë”, ka shkruar Çitaku.

Çitaku thotë se e njeh dhe kupton natyrën e punës së ministres Gërvalla, por shton se një përgjigje Beogradit duhet dhënë.

“Mirëpo ajo që më shqetëson është heshtja e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Sigurisht unë e kuptoj natyrën e punës dhe diskrecionin që ndonjëherë ta imponon diplomacia. Po një përgjigje duhet dhënë”, ka shtuar tutje.

Ky reagim i Citakut vjen pas konferencës së djeshme të Aleksandar Vucic në të cilën pretendonte se një numër shtetesh kanë tërhequr njohjen për pavarësinë e Kosovës.