Challanders: Nuk e di nëse do të ftojë ndonjë lojtar të Superligës

E publikuar: 29/04/2018 09:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Trajneri i përfaqësueses së Kosovës, Bernard Challandes po qëndron për një ekspeditë të shkurtër në Kosovë, ku do të përcjell për së afërmi disa ndeshje të futbollit të Superligës së Kosovës në futboll.

Ai ishte i pranishëm në takimin Liria-Gjilani ndërsa sot do të jetë në Pejë për ta përcjell ndeshjen mes Prishtinës dhe Llapit.

Pas takimit të fituar me rezultat 3-2 nga ana e prizrenasve, zvicerani ka folur për mediat shqiptare rreth punës me përfaqësuesen.

“Kemi një rrugëtim të gjatë para vetës. Unë kam ardhur në Kosovë të shoh për së afërmi lojtarët e Kosovës”, tha fillimisht trajneri duke mos treguar ndonjë emër specifik.

Ai më tutje deklaroi se për momentin nuk e di nëse do të ftojë ndonjë lojtar që luan në Superligë për takimin me Shqipërinë.

“Nuk e di nëse do të ketë ndonjë lojtar nga Superliga e Kosovës që do të ftohet në përfaqësuese në takimin miqësor me Shqipërinë”, tha Challendes.

Trajneri pohoi se po mundohet të krijojë një ekip stabil prej 20-25 futbollistësh, që do të luanin edhe në kualifikueset për evropianin e ardhshëm.

Kujtojmë se Kosova nën udhëheqjen e Challendes nuk ka pësuar gol dhe humbje, ku ka shënuar fitore kundër Burkina Fasos dhe Madagaskarit. /Telegrafi/