Çfarë thuhet në “draft-vizionin” e Kurtit?

E publikuar: 03/05/2023 19:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Albin Kurti EU1

Në takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 2 maj në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, propozoi një “draft-vizion” për çështjen e rregullimit të komuniteteve joshumicë, përkatësisht të komunitetit serb në Kosovë.

Ai e bëri këtë pasi refuzoi draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, të prezantuar nga Ekipi Menaxhues – i përbërë nga katër pjesëtarë të komunitetit serb.

Kurti tha se ky dokument nuk është në pajtueshmëri me Kushtetutën e Kosovës.

Në draft-vizionin e tij, Kurti nuk e përmend në mënyrë specifike Asociacionin, por thirret në Nenin 7 të Marrëveshjes së Ohrit, që parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb.

Çfarë thotë Neni 7?

Të dyja palët janë të përkushtuara në arritjen e marrëveshjeve specifike dhe garancive, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke përdorur përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësinë e ofrimit të shërbimeve në disa fusha specifike, përfshirë mundësinë e ndihmës financiare nga Serbia dhe kanalet e drejtpërdrejta të komunikimit të komunitetit serb me Qeverinë e Kosovës.

Për ta arritur këtë, sipas Kurtit, një draft-statut duhet t’i plotësojë disa kushte – mes tjerash, “t’ua ofrojë pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë mundësinë për të promovuar dhe mbrojtur interesat e veta përmes një kornize vetëmenaxhimi”.

Pastaj, sipas Kurtit, duhet të parashihet mundësia për bashkëpunim me institucionet e Kosovës, si dhe të “njihen plotësisht karakteristikat kushtetuese” të Kosovës, duke respektuar pavarësinë dhe integritetin e saj territorial.

Në këtë dokument të Kurtit thuhet, po ashtu, se pjesëtarët e komunitetit serb duhet të kenë kanal të drejtpërdrejtë komunikimi me Qeverinë e Kosovës, si dhe mundësi për t’u financuar nga Kosova dhe vende të tjera, përfshirë edhe Serbinë, por përmes procedurave dhe rregullave të Ministrisë së Financave të Kosovës.

Aty, gjithashtu, theksohet se do të mund të themelohen asociacione në fushën e kulturës, artit, shkencës dhe arsimit, si dhe asociacione të natyrave të ndryshme për “shprehjen, ushqyerjen dhe zhvillimin e identitetit serb”, bazuar në ligjet aktuale për ushtrimin e shërbimeve jofitimprurëse./REL