Pesimist për zgjidhjen e shpejtë të problemet të ajrit të ndotur në Prishtinë, është shprehur kryetari i Partisë së të Gjelbërve të Kosovës. Sipas Daut Malokut, projektet për përmirësim të ajrit janë afatgjate, dhe vështirë të aplikueshme në situatën aktuale.
Kryetari i Partisë së të Gjelbërve të Kosovës, Daut Maloku, ka thënë se shkaktar i gjendjes së ajrit në Kosovë, përveç termocentraleve e veturave, është edhe djegia e qymyrit nga qytetarët.
Në një bisedë për Express, Maloku numëron faktorët të cilët sipas tij sollën situatën aktuale.
“Për shëndetin e njerëzve ambienti për momentin është shndërruar në një vrasës të rrezikshëm, i heshtur, i paskrupullt, dhe që nuk fal asnjë gabim e ato gabime i kemi bërë ne vetë sepse me kohë nuk kemi rregulluar infrastrukturën, si problemin me automobilat, termocentralet, ngrohja e qytetarëve me qymyr’, tha ai.
Zgjidhja e problemit sipas Malokut kërkon kohë.
“Këto janë projekte afatgjate, duhet të rregullohet çështja e komunikacionit, për shembull nuk ka tramvaj, trolobusë, nuk ka metro e as hapësira të rezervuara për biçikleta, nuk ka unaza rreth qytetit ku do të shkojnë veturat prej Veternikut e nga Vranjevci, që mos me kalu nëpër qytet. Këto të gjitha janë projekte afatgjate”, është shprehur Maloku për Gazetën Express.
Ai ka theksuar se ka rreth 427.000 vetura më shumë se 10 vjet të vjetra në Kosovë, të cilat paraqesin rrezik për shëndetin e njerëzve.
Kreu i PGJK’së ka thënë që partia këto ditë është duke dhënë udhëzime për masat që duhet t’i marrin qytetarët për zgjidhjen këtij problemi.
Ndërkohë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, është shtuar numri i pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore, si pasojë e ndotjes së ajrit. Madje, Klinika e Pulmologjisë nuk ka kapacitete të mjaftueshme, përfshirë edhe shtretërit në klinikë, për t’i pranuar të gjithë pacientët,/Gazeta Express/.

















