Byroja Kosovare e Sigurimit “pakt” 200 mijë eurosh me vëllanë e presidentit për t’ia shuar pozitën

E publikuar: 15/07/2019 08:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Rreth nëntë muaj pasi Gani Thaçi, vëllai i presidentit Hashim Thaçi, dyshohet se e ka sulmuar drejtorin e Byrosë Kosovare për Sigurime, Blerim Pushkolli, gazeta ka mësuar se është arritur një “pakt”ndërmjet Pushkollit e Thaçit.

Më datën 21 qershor Byroja Kosovare e Sigurimeve ka marrë vendim që vëllanë e presidentit Thaçi, Gani Thaçi, ta pensionojë tre vjet më herët, t’ia paguajnë pagat e plota për këtë periudhë, si dhe shumën prej rreth 200 mijë eurosh në emër të shkrirjes së pozitës së koordinatorit, që Gani Thaçi e ka mbajtur për disa vjet, shkruan sot “Koha Ditore”.

Konflikti, i cili dyshohet se pati përfunduar me grushte atëherë, kishte lindur për shkak se Gani Thaçi pretendonte se Pushkolli ia shoi pozitën , koordinator i përgjithshëm për planifikime strategjike, brenda Byrosë Kosovare të Sigurimeve.

Nga tri burime të ndryshme, gazeta ka mësuar se Pushkolli me anëtarët e Asamblesë së Përgjithshme të Byrosë Kosovare të Sigurimit para rreth një muaji e kanë votuar vendimin përmes të cilit ia kanë shkrirë pozitën që e mbante Thaçi. Në shkëmbim të saj, siç ka marrë vesh gazeta, është marrë vendim që Gani Thaçit t’i paguhen rreth 200 mijë euro, si dhe t’i paguhet paga deri në pensionim.