Britania e Madhe ndihmon Kosovën në sistemin e drejtësisë

E publikuar: 25/10/2017 12:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministria e Drejtësisë ka nënshkruar “Memorandumin e Mirëkuptimit” me Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar.

“Memorandumi i Mirëkuptimit” ka për qëllim mbështetjen me katër ekspertë ligjor, të cilët do të ndihmojnë Ministrinë e Drejtësisë në hartimin e legjislacionit dhe dokumenteve tjera relevante.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se nënshkrimi i këtij memorandumi është dëshmi se Kosova e ka mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar.

“Do të kemi një ndihmë shumë të madhe. Ndër projektet që do të përkrahet janë: avokatura shtetërore, rishikimi i drejtësisë. Kjo e fundit është kryesorja e Republikës së Kosovës. Rishikimi i drejtësisë do të ndodh shumë shpejt dhe do të zgjasë 12 muaj. Konkluzat që do të dalin nga ky proces mund të kërkoj edhe ndryshime kushtetuese”, tha Tahiri.

Ndërsa ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruairi O’Conell, tha se Britania ka fokus të madh në fushën e drejtësisë, transmeton kp.

“Ne kemi interes të përbashkët drejtësinë. Më vjen mirë që e kemi këtë mundësi për të bashkëpunuar. Kjo pako që projekti do të ketë fokus është një pjesë shumë e rëndësishme e procesit të drejtësisë. Projekti do të furnizojë Ministrinë me ekspertë dhe kjo është shumë e rëndësishme. Shpresoj që në fund të projektit do të ndreqen disa boshllëqe që janë në këtë pjesë. Besoj se do të forcojë luftën kundër krimit të organizuar”, tha O’Conell.