Brenda sallës – Si shkoi mbledhja e Qeverisë në Prevallë (Foto)

E publikuar: 29/02/2020 23:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot një mbledhje gjithëditore në Prevallë.

Qëllim i mbledhjes ishte transformimi i programit  qeverisës në plan të veprimit.

Gjatë ditës pati pak imazhe nga brenda takimit, por është zëvendëskryeministri Haki Abazi, ai që ka publikuar disa fotografi nga ajo që ndodhi sot.

Momente qesharake, serioze e interesante vërehen të kenë ndodhur në këtë mbledhje ku përveç të gjithave, nuk u diskutua për problemin kryesor të qeverisë, taksën. 

Të vetmit që folën pak më shumë rreth takimit që po zhvillohet ishin vartësit e Kurtit.

Zëvendëskryeministri i dytë i Kosovës, Haki Abazi tregoi se ministrat do të kenë mundësi të prezantojnë planet e tyre afatshkurtra dhe afatmesme të secili dikaster.

“Në pjesën e dytë të ditës do të dëgjojmë ministrat përsëri një nga një për prioritetet afatshkurtra, afatmesme që do të përcaktojnë gjithashtu planin veprues për javët në vazhdim”.

“Theks i veçantë është që përveç se ministrat tregojnë për prioritetet e tyre, gjithashtu do të shohim se ku janë pikat e bashkërendimit që duhet të ndodhin ndërmjet dy ministrive apo më shumë – që menjëherë të fillojmë me punën e koordinimit dhe çfarëdo ndihme që duhet të ketë secila ministri dhe secili ministër për të mos u vonuar në bashkërendimin e punëve që kërkojnë koordinimin e ministrive ndërmjet vete”.

E fuzionimi i ministrive sipas Abazit do të jetë një ndër sfidat e Qeverisë ngase sipas tij, duhet të bashkërendohen planet që ministritë kanë.

“Sigurisht që kemi shumë sfida me të cilat jemi duke u ballafaquar, por bashkërendimi i përbashkët besoj se shumë shpejtë do të arrihet në mënyrë që plani i punës të jetë i qartë, konkret dhe i cili do t’u prezantohet të gjithëve, edhe publikut edhe Kuvendit.

Haki Abazi mohoi se edhe çështja e reciprocitetit do të jetë temë diskutimi e kësaj mbledhje maratonike.

Ai tha se qeveritarët janë të fokusuar vetëm tek programi qeverisës.

“Absolutisht nuk ka asnjë gjë tjetër që është duke u diskutuar përveç kthimi i marrëveshjes së koalicionit në plan qeverisës dhe zbërthimi i saj në plan veprues dhe detyra e prioritete konkrete”.