Bregu: Samiti i BE-së e frustroi Ballkanin Perëndimor

E publikuar: 24/06/2022 17:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Share:

Majlinda Bregu, sekretare e përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, ka thënë që samiti i djeshëm i Bashkimit Evropian e frustroi Ballkanin Perëndimor.

Bregu, në një intervistë për emisionin Info Magazine në Klan Kosova, tha që për secilën nga ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, “gjithkush ka pasë ndjeshmëritë e veta të zhgënjimit”.

“Vendimi ose mosvendimi i djeshëm, mund të ketë nevojë për interpretime nëse kishte mosarritje për të marrë një vendim ndaj pjesës dhe politikës së anëtarësimit të Bashkimit Evropian në vendet e Ballkanit Perëndimor. Ishte tronditës dhe frustues për të gjithë ata që kanë punuar, që njohin procesin e integrimit, por edhe që mendojnë që edhe kur ka shfaqje krizash mund të ketë një moment që të gjithë kthjellohen dhe e kuptojnë që kosto e dëmit të krijuar është më e madhe se sa do të ishte marrja e një vendimi pozitiv, për të vazhduar dhe për të mos ngelur në vend me procesin e zgjerimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, tha Bregu.

“Arsyeja dhe frustrasioni dje kishte disa nivele dhe besoj që për secilën nga ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, gjithkush ka pasë ndjeshmëritë e veta të zhgënjimit. Nuk është hera e parë që ne e përsërisim, duke e nisur nga procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën, mosmbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe mos marrja e statusin potencial kandidat për Bosnje Hercegovinën”.

Në bazë të matjeve të Barometrit të Ballkanit, Bregu tha që qytetarët e rajonit shfaqen pesimistë se një ditë mund t’i bashkohen Bashkimit Evropian.

“Të gjitha këto që ne që punojmë për rajonin, do të thonë shumë. Për herë të parë në Ballkan Barometër sipas matjeve kemi gjashtë rënie pikë në përqindje, ose gjashtë pikë më shumë në rritje të pesimizmit të qytetarëve të rajonit se një ditë mund t’i bashkohen Bashkimit Evropian”.

“Por, nëse ne do të bënim sot ose një javë më pas të njëjtën pyetje, qytetarët e rajonit do të ishin edhe më shumë pesimistë”, tha ajo.

Sqarim: Ndalohen fyerjet dhe përdorimi i gjuhës ofenduese. INFOSOT mban të drejtën e publikimit ose jo të një komenti të caktuar. Përmbajtja e komenteve nuk pasqyron, qëndrim editorial të redaksisë së portalit INFOSOT. Ju faleminderit për mirëkuptimin!