BQK: Sqarim për shtyrjen e afatit për pagesën e kësteve të kredive

E publikuar: 01/06/2020 11:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Banka Qendrore e Kosovës njofton se nuk është marrë asnjë vendim i ri për shtyrje të serishme të afatit të pagesës së kësteve të kredive.

Sipas BQK-së, ende mbetet në fuqi vendimi që afati i shtyrjes së pagesës së kësteve të kredive të jetë tre muaj, nga data 16 mars deri me 16 qershor 2020 për kredimarrësit, të cilët kanë hasur vështirësi financiare, si rezultat i rënies së të hyrave personale apo biznesore për shkak të COVID-19.

“Sikurse kemi informuar edhe më herët, gjatë kësaj periudhe institucionet kredidhënëse nuk do të aplikojnë interes ndëshkues, nuk do të aplikojnë ndryshim të klasifikimit kreditor ndaj kredimarrësve dhe BQK-ja nuk do të kërkojë provizione shtesë nga këto institucione, për kreditë e shtyra. Ndërkohë, interesi i rregullt për këta tre muaj do të përllogaritet, pagesa e të cilit do të shpërndahet për periudhë së paku gjashtëmujore apo më herët, në rastet e maturimit të kredive para kësaj periudhe. BQK-ja kërkon nga institucionet kredidhënëse të zbatojnë këtë kërkesë, me qëllim të lehtësimit dhe të ruajtjes së likuiditetit të kredimarrësve gjatë kësaj periudhe të ndërprerjes së aktivitetit të shumë veprimtarive ekonomike për shkak të pandemisë”, thuhet në njoftimin e BQK-së, përcjell Telegrafi.

BQK-ja thotë do të vazhdojë së monitoruari me shumë kujdes zhvillimet ekonomike dhe ato në sektorin financiar.