Borxhet e qytetarëve ndaj KRU ‘Prishtina’ arrijnë në 1.5 milion euro

E publikuar: 27/05/2020 12:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” njofton se është duke u përballur me borxhe të mëdha edhe gjatë kohës së pandemisë të shkaktuar nga COVID-19.

Kjo kompani, vazhdimisht kishte kërkuar pagesën e faturave të ujit, ku edhe pas lehtësirave të masave, pagesat ende nuk kanë filluar të bëhet nga ana e qytetarëve.

Nga KRU “Prishtina” tregojnë se pandemia e COVID-19 u solli rënie të madhe të pagesave, sidomos gjatë muajve të izolimit.

“Vlera e borxheve të qytetarëve ndaj kompanisë KRU ‘Prishtina’ nga fillimi i pandemisë e deri më tash sillet rreth 1.5 milion euro. Pagesa nga qytetarët për fatura gjatë këtyre muajve ka pësuar rënie drastike e që sillet diku rreth 50 për qind e vlerës së faturuar. Dallimet në pagesa gjatë kohës së pandemisë dhe kohës sa nuk ka qenë e pranishme panedemia në vendin tonë është e dukshme dhe ka ndikuar shumë në nivelin e të hyrave të kompanisë duke ditur se kompania ka shpenzime të mëdha për operim dhe distribuim, andaj kjo ka ndikuar shumë ngase për operim të mirëfilltë kompania ka kosto bukur të mëdha në aktivitete si nga aspekti sasior në prodhim ashtu edhe në distribuim po ashtu edhe nga aspekti cilësor i shërbimeve të ujit”, njofton kompania.

Lidhur me këtë, kompania fton qytetarët t’i bëjnë pagesat e faturave.

Ndryshe KRU “Prishtina”, e cila operon në tetë komuna të Kosovës, kishte njoftuar se borxhi total i konsumatorëve ndaj shërbimeve për ujë dhe kanalizim është mbi 45 milionë euro. /Telegrafi/