Borissov: Kosova përfaqësohet në Samitin e BE-së në Sofje

E publikuar: 16/04/2018 14:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përfaqësimi i Kosovës në Samitin e Bashkimit Evropian në Sofje më 16 dhe 17 maj, ishte një nga temat kryesore të takimeve të kryeministrit të Bullgarisë Boyko Borissov me udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës.

Kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borissov siguroi Prishtinën zyrtare se shteti i tij që aktualisht kryeson presidencën e Bashkimit Evropian, e ka ftuar presidentin Kosovës Hashim Thaçi, që të jetë pjesë e samitit.

Kosova do të përfaqësohet ashtu siç e kanë njohur mbi 100 shtete. Siç e ka njohur edhe Bullgaria. Kurse për ato që nuk e kanë njohur, do të gjejmë një zgjidhje”, tha Borissov.

Dilemat rreth përfaqësimit të Kosovës si shtet në Samitin e Sofjes ishin shtuar pas disa paralajmërimeve nga zyrtarët shtetërorë nga Spanja, se nuk e shohin veten komod në një samit ku përfaqësohet edhe një shtet si Kosova, të cilin ky vend nuk e njeh. Janë pesë shtete të BE-së të cilat nuk e pranojnë Kosovën, andaj, Bullgaria si nikoqire është duke gjetur një formë që në samit të jenë të përfaqësuar të gjithë.

Ai tha se Bullgaria do ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj integruese dhe se Kosova e ka vendin e saj në Bashkimin Evropian. E këtë fakt ai tha që e përmend çdo herë në takimet që zhvillon edhe me vendet tjera të rajonit.

Bashkimi Evropian, sipas tij, është deklaruar se nuk importon kriza brenda BE-së, prandaj edhe duhet të zgjidhen problemet para se të këtë aplikim për integrim në BE.

“Ne nuk japim këshilla, e as nuk guxojmë të japim këshilla, mirëpo në qoftë se nuk nënshkruhen marrëveshje me Serbinë, as Kosova as Beogradi nuk do të jenë pjesë e Bashkimit Evropian. Sepse BE nuk dëshiron vende anëtare me probleme mes vete. Prandaj, ne duam që ju t’i zgjidhni problemet mes vete. Parësore është që të mos shikojmë prapa, të shikojmë përpara dhe që në maj në Samitin e Sofjes t’u themi liderëve që ‘ja popujt në Ballkan janë të vendosur’. Le të tregojmë urtësi”, tha Borissov.

Ai u bëri thirrje liderëve të Ballkanit Perëndimor që të lënë me njëanë egoizmat personale, ngase kjo sipas tij, është fatale për të ardhmen e këtyre shteteve.

Në anën tjetër, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha pas takimit se janë pajtuar që e ardhmja e Kosovës është në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

“Sivjet është publikuar Strategjia e Bashkimit Evropian, në këtë frymë ne jemi shumë falënderues për ndihmën e Bullgarisë. Si rezultat i kësaj kemi Samitin e Sofjes. Kosova kërkon jo vetëm të vazhdojë dialogun me Serbinë, por të ketë një fqinjësi të mirë. Me kryeministrin diskutuam edhe për mundësinë e investimeve të Bashkimit Evropian në sektorin e infrastrukturës, duke përfshirë segmentet e Bullgarisë, Greqisë, Kosovës, Serbisë dhe tërë rajonit ku jetojmë ne, sepse vetëm duke investuar mund të kemi jetë më të mirë”, tha Thaçi.

Kryeministri bullgar Boyko Borissov gjatë takimit me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi
Kryeministri bullgar Boyko Borissov gjatë takimit me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi
Sipas Thaçit, Bashkimi Evropian do të jetë i plotë vetëm atëherë kur “Kosova do të jetë pjesë e BE-së”.

Thaçi u shpreh më se i bindur se Kosova do të përfitojë sivjet nga procesi i liberalizimit të vizave, duke theksuar se të 95 kriteret e përcaktuara nga BE-ja, tashmë janë përmbushur.

Boyko Borissov është takuar edhe me kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj dhe kreun e Kuvendit, Kadri Veseli.

Në një komunikatë për media të Kryeministrisë thuhet se kryeministri Haradinaj kërkoi nga homologu i tij bullgar, Borissov mbështetjen e Bullgarisë për rrugën evropiane të Kosovës, si për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare dhe në procesin e njohjeve.

“Kosova ka nevojë për miqtë e saj në procesin e liberalizimit dhe anëtarësimit në BE. Bullgaria është një vend mik nga i cili presim mbështetjen në këtë proces. Kosova do të jetë gjithmonë e hapur për bashkëpunim ekonomik dhe politik me këtë vend. Ne e kemi dëshmuar edhe në të kaluarën që mund të kemi partneritet të ngushtë”, thuhet në komunikatë.

Samiti i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor do të mbahet më 17 maj në Sofje, ku pritet të mblidhen liderët e 28 shteteve të BE-së dhe partnerët nga Ballkani Perëndimor.

Njëra prej pikave kryesore është prezenca e Kosovës në tavolinë, e cila përbën temë të diskutimit për pesë shtete të BE-së, siç janë, Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja, të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Në fillim të këtij viti, Bullgaria ka marrë udhëheqjen e presidencës së Bashkimit Evropian, duke u bërë vendi i parë nga Ballkani që merr një pozitë të tillë për gjashtë muajt e ardhshëm.

Para Bullgarisë, ishte Estonia ajo që kishte mbajtur postin që kalohet çdo gjashtë muaj me rotacion nga vendi në vend.

Bullgaria është bërë pjesë e BE-së në vitin 2007, ndërsa tani pritet ta rrisë perspektivën për vendet fqinje të Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në BE