Borell: Jam pajtuar me Kurtin që takimi me Vuçiqin të ndodhë para fundit të qershorit

E publikuar: 29/04/2021 20:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell tha se kishte rënë dakord me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që takimi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të zhvillohej para fundit të qershorit.

Borel shtoi se data e saktë do të përcaktohet në periudhën e ardhshme, raporton n1.

“Rruga evropiane e Kosovës kalon përmes dialogut. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër, asnjë alternativë. Arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë është thelbësore për përparimin në rrugën evropiane. Pa atë, ajo rrugë do të bllokohet”, vuri në dukje Borell.
“Ne nuk mund të hedhim në ujë atë që bëmë me qeveritë e mëparshme. Duhet ta kuptoni që për të vazhduar procesin, i cili padyshim është vonuar dhe që duhet të sjellë rezultate. Nuk do të jetë e lehtë, nuk do të jetë e këndshme, por për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës, Serbisë dhe Ballkanit Perëndimor, ky proces do të duhej të vazhdonte shpejt dhe ne duhet ta organizojmë takimin shumë shpejt. Unë nuk dua të përmend afatet përsëri, por unë dhe ju kemi rënë dakord që do të jetë para fundit të qershorit”, shtoi spanjolli.

Ndërkohë, Kurti tha se delegacioni i Kosovës është i gatshëm të vazhdojë dialogun mbi normalizimin e marrëdhënieve me Beogradin në qershor.

“Ne nuk do ta injorojmë dialogun. Ju mund të mbështeteni në vullnetin dhe gatishmërinë time të mirë për kontakt të drejtpërdrejtë. Së pari, ne do të kemi një darkë pune me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor në maj, dhe pastaj në një moment në muajin qershor mund të fillojmë një kapitull të ri në dialog me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian”, tha Kurti pas një takimi me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së.

Ai shtoi se pala kosovare ka nevojë për kohë që të përgatitet sepse nuk dëshirojnë “t’i lejojnë vetes më shumë gabime dhe dështime”.