Bogujevci në PACE: Prioritetet e Kosovës – sundimi i ligjit, punësimi dhe mirëqenia sociale për të gjitha komunitetet

E publikuar: 25/01/2023 17:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Asambleja Parlamentare e Këshillit të BE-së (PACE), në seancën e sotme, ka diskutuar për raportet mes Kosovës dhe Serbisë.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, mori fjalën në këtë seancë.

“Kosova është vend demokratik dhe është i përkushtuar ndaj sundimit të ligjit e lirisë së mediave, në veçanti në lirinë e pakicave, të cilët ne i quajmë komunitete. Si shqiptarë, serbë, turq, boshnjakë, romë, egjiptianë,… dhe të gjithë qytetarët tanë pa dallime, kanë nevojë për një shtet ku ka sundim të ligjit, ka punë, mirëqenie sociale. Këto janë prioritetet tona”, tha Bogujevci, ndërsa foli edhe për rankimet e Kosovës nëpër indekse globale kundër korrupsionit, raporton Klankosova.tv.

“Kur Ukraina u përball me luftën e paprovokuar nga Federata Ruse, Kosova u rreshtua në linjë me vendet demokratike kundër këtij agresioni. Megjithatë, Kosova si shtet po përballet me veprime ilegale nga struktura kriminale në veri të vendit që po nxiten dhe po drejtohen nga presidenti Vuçiq. Serbia nuk u distancua kurrë nga gjenocidi i Millosheviqit kundër shqiptarëve të Kosovës dhe pakicave tjera, dhe vazhdon ta koordinojë politikën e jashtme me Rusinë dhe të armatoset nga Rusia. Serbia jo vetëm që nuk dënoi dhe vendosi sanksione ndaj Rusisë, por është shumë shqetësuese të shohësh pjesëtarë të Wagnerit në mes të Evropës, që janë shfaqur edhe në veri të Kosovës duke hyrë nga Serbia. Është e dukshme që Serbia vazhdimisht tenton ta destabilizojë veriun e Kosovës. Këtë po e bëjnë sepse po tentojnë të largohen nga dialogu politik me Kosovën, nga normalizimi i plotë i raporteve përmes marrëveshjes finale ndërkombëtare dhe ligjërisht obliguese për njohje reciproke. Respektimi i ligjit dhe luftimi i krimit të organizuar nuk duhet të ketë alternativë, dhe nuk është i drejtuar ndaj etnive, por ndaj veprimeve”, tha ajo.

Edhe Turqia i doli në krah Kosovës, duke u shprehur kundër sulmeve të dhunshme ndaj policisë së Kosovës në veri të vendit.