Blindohet Italia, frikë nga hakmarrja e ISIS-it për vrasjen e Anis Amri

E publikuar: 27/12/2016 14:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas vrasjes së terroristit Anis Amri në provincën e Milanos, autorit të masakrës së Berlinit, Italia është blinduar nga rregullat e sigurisë së lartë antiterroriste.

Italia blindon të gjitha koncertet, festa e fundvitit e manifestimet publike si dhe shton 1800 oficerë policie e 400 automjete më shumë që patrullojnë çdo ditë në rrugët e qyteteve italiane për një shpenzim që kapërcen 100 milionë euro në muaj.

Në intervistë për Corriere della Sera, Maurizio Vallone, kreu i Kontrolllit të Sigurisë së Territorit në Ministrinë e Brendshme italiane ka deklaruar se “ekziston frika e një hakmarrje të ISIS ndaj oficerëve të policisë italiane. Është hera e parë, thotë ai, që një terrorist i ISIS vritet në Itali e sigurisht që uniformat e policisë janë një shenjestër e privilegjuar për ta. Mos harrojmë se dhe në Francë u vranë dy policë. Ne jemi vitrina e shtetit.”

Një preokupim të tillë të një hakmarrje të ISIS ndaj forcave të policisë italiane e shprehu pak ditë më parë dhe kreu i Policisë së Shtetit, Franco Gabrielli, duke deklaruar se “pas vrasjes së Anis Amri janë në rrezik të gjithë ata që përfaqësojnë forcat e policisë dhe që kanë një uniformë veshur.”

Përsa i përket festave, koncerteve e manifestimeve të fundvitit të parashikuar pothuajse në të gjitha qytetet italiane, kreu i Kontrolllit të Sigurisë së Territorit në Ministrinë e Brendshme italiane deklaron se do të zhvillohen në bazë të një sistemi filtrimi ku do të kontrollohen të gjithë personat që do hyjnë e dalin në këto evente.

Gjthashtu informon se rreth 400 forca të antiterrorizmit të pajisur me armë të kalibrit të lartë patrullojnë me mjete të blinduara territorin.

Sipas tij përveç rrezikut ndaj trupave me uniformë, Ministria e Bendshme italiane i frikësohet dhe një ngjarje të ngjashme me atë çka ndodhi në Gjermani, pra një hakmarrje të fondamentalistëve në vende të populluara./oranew